Si po priten nga banorët ligjet e reja në Kaliforni?

Amerika

Si po priten nga banorët ligjet e reja në Kaliforni?

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 17:46
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, duke firmosur një ligj të ri

Gjatë javëve të fundit, Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom ka nënshkruar një numër ligjesh që kanë ngjallur debat dhe duket se janë bërë pjesë e të ashtuquajturës luftë kulturash në Amerikë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Angelina Bagdasaryan bisedoi me disa kalifornianë për këto ligje të reja.

Pasi doli fitimtar përballë sfidës së republikanëve që kërkonin shkarkimin e tij, Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka nënshkruar ligje që përshëndeten nga progresistët dhe denoncohen nga konservatorët, për çështje që nga salca e domateve dhe deri tek prezervativët.

Një nga ligjet e nënshkruara nga guvernatori demokrat i urdhëron shkollat e Kalifornisë të pajisin tualetet me produkte menstruale. Disa banorë të Kalifornisë mendojnë se ligjet duhet të ishin kaluar kohë më parë.

"Është e rëndësishme, pasi nuk kemi gjithnjë veshjen e duhur për t'u kujdesur për veten. Nëse kemi produkte që mund t'i përdorim falas është më mirë për ne", thotë Elanda, banore e Los Anxhelosit.

Ndërsa ligji mund të mos duket i debatueshëm, ka edhe kundërshtarët e tij.

"Asgjë nuk është falas. Kjo do të thotë se ne taksapaguesit do të paguajmë faturën. Pra unë, juve dhe të gjithë taksapaguesit kalifornianë do të duhet të paguajmë për tamponët e të tjerëve? Kjo është krejtësisht e paarsyeshme", thotë Agnes Gibboney, politikane e Partisë Republikane.

Një tjetër ligj i debatueshëm kërkon që dyqanet të paraqesin kukulla fëmijësh me gjini të papërcaktuar. Ligji nuk ua ndalon dyqaneve të kenë seksione djemsh dhe vajzash, por e bën të detyrueshme edhe një seksion pa gjini të përcaktuar.

Ligji do të hyjë në fuqi në vitin 2024.

"Është më mirë gjinia neutrale. Nuk ka nevojë për ndarje mes meshkujve dhe femrave. Le të jemi çfarë dëshirojmë të jemi!", thotë Elanda.

Edhe më i debatueshëm është ligji që e konsideron të paligjshme heqjen pa leje të prezervativit gjatë marrëdhënies seksuale, dhe që i mundëson palës së dëmtuar të padisë partnerin.

Shumë njerëz e konsiderojnë këtë një ndërhyrje në jetën private.

"Kjo është diçka shumë private... Këto gjëra koordinohen me njëri-tjetrin, apo jo? Ç'qëllim ka kjo; nuk e kuptoj", thotë Andrew, banor i Los Anxhelosit.

Por jo të gjithë janë dakort.

"Kjo është diçka që nuk duhet bërë nga njeri. Jam në favor të gjithçkaje që ndëshkon sjelljen e pandershme", thotë Brian, banor i Los Anxhelosit.

Një tjetër ligj u kërkon shkollave të mesme publike të ofrojnë të paktën një kurs studimesh etnike, duke filluar nga viti shkollor 2025 - 2026.

"Detyrimi për studimet etnike është vërtet një ide e mirë, pasi shumë njerëz në Kaliforni jetojnë në flluskën e tyre. Nëse nuk jeton në një lagje me njerëz të ndryshëm, atëherë nuk ke mundësinë të mësosh për njerëzit e tjerë. Pra, nuk është ide e keqe", thotë Troy, banor i Los Anxhelosit.

"Më pëlqejnë studimet etnike në shkollën e mesme. Si afrikano-amerikan, ishte një nga gjërat që nuk ma ofruan në shkollë. Vetëm kur shkova në universitet munda të ndiqja disa kurse të tilla", thotë Brian.

Por, ligji u politizua me shpejtësi dhe shkaktoi kundërshti, në veçanti nga disa politikanë republikanë.

"Qeveria jonë po eliminon gradualisht historinë që kemi njohur. Ajo që është edhe më ofenduese në këtë ligj është fakti se nxënësve nuk u jepet një botëkuptim i plotë i historisë së vendit tonë, pa përfshirë kontributet dhe përpjekjet e indigjenëve, afrikano-amerikanëve, latinëve dhe aziatikëve. Po me të bardhët ç'u bë? Ky ligj është racist", thotë zonja Gibboney.

Ndër ligjet e tjera të debatueshme të nënshkruara nga guvernatori demokrat i Kalifornisë kanë të bëjnë me ndalimin e makinave korrëse të barit që punojnë me karburant, apo t'ua ndalojnë restoranteve t'u ofrojnë klientëve pako me salcë domatesh e lloje te tjera salcash, nëse ata nuk i kërkojnë vetë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat