SHBA pritet të vendosë për vaksinimin e fëmijëve 5-11 vjeç

Amerika

SHBA pritet të vendosë për vaksinimin e fëmijëve 5-11 vjeç

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 09:21
Vaksinë Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit.

Numri i rasteve me koronavirus në Shtetet e Bashkuara ka rënë, por shumë zyrtarë të kujdesit shëndetësor besojnë se vaksinimi i fëmijëve të vegjël është kyç për uljen e shkallës së infeksionit.

Eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në SHBA, Anthony Fauci, tha se vaksinat për fëmijë të moshës 5 deri në 11 vjeç ka të ngjarë të jenë të disponueshme në gjysmën e parë të nëntorit.

Ai tha se shumë fëmijë mund të vaksinohen plotësisht përpara fundit të vitit.

Zyrtarët e Administratës së Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së po shqyrtojnë aplikacionin e kompanive Pfizer dhe BioNTech për autorizimin e vaksinës së tyre për fëmijë.

Këshilltarët e Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të shqyrtojnë rekomandimet për vaksinën Pfizer/BioNTech në një takim javën e ardhshme.

Drejtorja e këtyre qendrave, Rochelle Walensky, tha se dëshiron të veprojë me shpejtësi.

Ne e dimë se sa shumë prindër janë të interesuar t’i vaksinojnë fëmijët e tyre midis 5 dhe 11 vjeç dhe ne synojmë të veprojmë sa më shpejt që mundemi”, tha Walensky.

Kur të autorizohet, rreth 28 milionë fëmijë të kësaj grup-moshe në SHBA do të kualifikohen për marrjen e vaksinës.

Në të gjithë SHBA-në, më shumë se 67 për qind e qytetarëve të kualifikuar për vaksinim, janë vaksinuar plotësisht.

Numri i rasteve me koronavirus në SHBA ka rënë që nga mesi i shtatorit, kur varianti Delta ka shkaktuar valë të madhe infektimesh./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat