Facebook heq një video të presidentit brazilian për vaksinat

Amerika

Facebook heq një video të presidentit brazilian për vaksinat

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 09:42
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro

Facebook ka hequr një video, në të cilën presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka folur për një lidhje të supozuar midis vaksinave kundër koronavirusit dhe sëmundjes së AIDS-it.

Rrjeti social tha se videoja i ka shkelur politikat e tij për vaksinat.

“Politikat tona nuk i lejojnë pretendimet se vaksinat kundër koronavirusit vrasin ose i dëmtojnë seriozisht njerëzit”, tha Facebook në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve AP.

Videoja u hoq edhe nga platforma e Facebook-ut, Instagram.

Facebook, megjithatë, nuk iu përgjigj pyetjes se përse kanë kaluar tri ditë përpara se përmbajtja të hiqej.

Videoja thuhet se është postuar më 21 tetor, ndërsa është hequr më 24 tetor.

Në video, Bolsonaro ka thënë se ka raporte që “sugjerojnë se njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar kundër koronavirusit zhvillojnë Sindromën e Mungesës së Imunitetit shumë më shpejt sesa pritej”.

Që nga fillimi i pandemisë, në mars të vitit të kaluar, Bolsonaro ka folur vazhdimisht kundër izolimit, maskave dhe vaksinimit.

Kjo nuk është hera e parë që videot e tij hiqen nga platformat digjitale, për shkak të shkeljeve të politikave.

Vitin e kaluar, Twitter dhe Facebook kanë hequr videot, ku Bolsonaro ka pretenduar se numrat e lartë të të infektuarve me koronavirus do ta bëjnë Brazilin imun.

Brazili ka përjetuar një ndër normat më të larta të infektimit dhe vdekshmërisë nga koronavirusi.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 21 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 605,000 kanë vdekur./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat