Gruaja e bosit meksikan të drogës u dënua me tri vjet burg

Amerika

Gruaja e bosit meksikan të drogës u dënua me tri vjet burg

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 23:31
Emma Coronel Aispuro

Një gjykatë amerikane dënoi sot Emma Coronel Aispuro, gruan e bosit meksikan të drogës Joaquin El Chapo Guzman, me tri vjet burg, pasi ajo u deklarua fajtore për ndihmën ndaj kartelit të drogës Sinaloa.

Përpara se vendimi të jepej para gjykatës federale në Uashington, Aispuro (32) i kërkoi gjykatësit të rrethit amerikan Rudolf Contreras të tregonte mëshirë.

Ajo gjithashtu pranoi se ndihmoi Guzman të arratisej nga një burg meksikan.

Ajo mund të përballej me burgim të përjetshëm, por prokurorët amerikanë kërkuan një dënim më të shkurtër pasi ajo shprehu pendimin.

Bashkëshorti i saj, 64-vjeç, aktualisht po vuan dënimin e përjetshëm në Kolorado.

Sipas gjykatës, Coronel Aispuro, një ish-mbretëreshë bukurie, komplotoi me Guzman dhe anëtarë të tjerë të kartelit Sinaloa për të trafikuar kokainë, heroinë, metamfetaminë dhe marihuanë në SHBA dhe për të pastruar të ardhurat.

Autoritetet gjithashtu besojnë se Coronel Aispuro luajti një “rol kritik” për të ndihmuar Guzman të arratisej nga një burg i sigurisë maksimale në vitin 2015 duke blerë një pronë pranë zonës.

Guzman ishte në gjendje të arratisej përmes tuneleve të gërmuara poshtë – të kompletuara me kanale ajri, drita dhe një motoçikletë – që erdhën në pronën e kartelit.

Ajo gjithashtu i dha atij një orë me GPS dhe u transmetoi mesazhe operativëve ndërsa ai ishte brenda.

Vendndodhja e tij pas arratisjes ishte e panjohur për muaj të tërë derisa ai u shfaq për një intervistë me aktorin Sean Penn.

Në gjykatë të martën në Uashington, gjykatësi Rudolph Contreras urdhëroi gjithashtu që ajo të humbiste gati 1.5 milion dollarë dhe t’i nënshtrohej katër vjet lirimit të mbikëqyrur pas lirimit nga burgu.

Coronel Aispuro tha se ajo kishte “pendim të vërtetë për çdo dëm që mund të kishte bërë”.

Avokati i saj, Jeffrey Lichtman, tha se Coronel Aispuro mund të jetë në rrezik nëse do të kthehej në Meksikë, pas raportimeve të mediave se ajo bashkëpunoi me autoritetet amerikane.

Në dënimin e tij, gjykatësi Contreras i uroi asaj fat për të ardhmen, duke shtuar se shpreson që ajo t’i rrisë dy vajzat e saj “në një mjedis të ndryshëm nga ai që ka përjetuar sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat