Blinken paralajmëron Rusinë

Amerika

Blinken paralajmëron Rusinë

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 00:45
Pamje nga takimi

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi sot Rusinë të mos ndërmarrë ndonjë “hap përshkallëzues” ndaj Ukrainës, duke theksuar se “një agresion i ri do të shoqërohej me pasoja serioze”.

Duke folur me gazetarët përkah Ministrit të Jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkevics gjatë një vizite në Rigë, Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë “shumë të shqetësuara” nga dërgimi i trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.

Shqetësimet rreth shtimit të trupave ruse do të diskutohen në takimin dy ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s, që zhvillohet të martën dhe të mërkurën në Rigë.

Para takimit të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet në rajon, duke shtuar se shtimi i pranisë ushtarake është “i paprovokuar dhe i pashpjegueshëm”.

“Një sulm i mundshëm i Rusisë kundër Ukrainës, do të kishte një çmim të lartë dhe pasoja politike dhe ekonomike serioze për Rusinë”, tha dje zoti Stoltenberg.

Takimi i NATO-s në Rigë vjen në një kohë që vendet anëtare të NATO-s, Letonia, Lituania dhe Polonia ndeshen me një krizë në kufijtë e tyre me Bjellorusinë.

Bashkimi Evropian e akuzon presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko për tërheqjen e mijëra imigrantëve nga Lindja e Mesme në vendin e tij, që prej andej të kalojnë në Letoni, Lituani dhe Poloni me synimin për të destabilizuar Bashkimin Evropian. Brukseli thotë se Presidenti Lukashenko po hakmerret për sanksionet që BE-ja ka vënë ndaj Bjellorusisë.

Një tjetër synim i takimit të NATO-s do të jetë përditësimi i asaj, që grupi e quan, Koncepti Strategjik, i ndryshuar për herë të fundit para një dekade.

Zoti Stoltenberg tha se është e rëndësishme të rishikohet dokumenti për shkak të ndryshimit të kërcënimeve me të cilat ndeshet aleanca, në një botë, që ai e quajti “më të rrezikshme”.

“Sjellja e Rusisë, sulmet kibernetike, kërcënimet terroriste, përhapja e armëve bërthamore dhe pasojat për sigurinë nga Kina, e cila po bëhet gjithnjë e më shumë një fuqi globale”, janë disa prej tyre, tha zoti Stoltenberg.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat