SHBA miraton kërkesa më të rrepta udhëtimi pas zbulimit të rasteve me Omicron

Amerika

SHBA miraton kërkesa më të rrepta udhëtimi pas zbulimit të rasteve me Omicron

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 15:19
Presidenti i SHBA-së Joe Biden

Një ditë pasi Shtetet e Bashkuara konfirmuan rastin e parë të variantit Omicron të koronavirusit, Presidenti Joe Biden njoftoi masa më të rrepta testimi për udhëtarët që hyjnë në vend, një zgjatje të kërkesave për mbajtjen e maskave në transportin publik, si dhe një premtim për të ofruar 200 milionë doza të tjera të vaksinave kundër COVID-19 për vendet e tjera në muajt e ardhshëm.

Ata që kanë në plan të vizitojnë Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të përgatitur për të ndjekur protokolle më të rrepta për COVID-19.

Përveç vaksinimit të plotë, duke filluar nga java e ardhshme, udhëtarët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht nga kombësia, duhet të tregojnë një test negativ, të bërë një ditë para nisjes, në vend të tre ditëve siç është tani.

“Kjo kohëzgjatje më e shtrënguar e testimit ofron një shkallë shtesë mbrojtjeje ndërsa shkencëtarët vazhdojnë të studiojnë variantin Omicron. Ne po zgjerojmë kërkesat për të vënë maska gjatë udhëtimeve me avionë, trena dhe forma të tjera të transportit publik gjatë muajve të dimrit."

Presidenti Joe Biden i njoftoi masat të enjten, së bashku me planet për të shtuar vaksinimet dhe dozat përforcuese për të moshuarit dhe fëmijët dhe për t’i bërë testet e COVID-it falas dhe më të disponueshme – një strategji e shumëanshme për t'u përballur me variantin e ri Omicron dhe për të shmangur mbylljet.

Një individ që udhëtoi nga Afrika e Jugut rezultoi pozitiv në Kaliforni të mërkurën, rasti i parë me variantin Omicron i zbuluar në Shtetet e Bashkuara. Administrata Biden ka kufizuar udhëtimin nga nëntë vende afrikane, përfshirë Afrikën e Jugut, ku varianti u zbulua për herë të parë.

Në 100 ditët e ardhshme, Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë edhe 200 milionë doza shtesë të vaksinës kundër COVID jashtë vendit.

“Unë gjithmonë do të sigurohem që së pari të mbrohen njerëzit tanë. Por vaksinimi i botës nuk është vetëm një detyrim moral që ne kemi – është mënyra se si ne i mbrojmë amerikanët, siç po shohim me këtë variant të ri”, tha presidenti.

Dozat do të dërgohen gjithashtu në zonat e konfliktit dhe mjedise të tjera humanitare si kampet e refugjatëve, pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga administrata mes kompanisë Johnson&Johnson dhe programit ndërkombëtar COVAX për shpërndarjen e vaksinave, për të imunizuar njerëzit që nuk përfitojnë nga programet qeveritare.

"Ne punojmë përmes partnerëve të besuar të shëndetit globalë si Kombet e Bashkuara, OJQ të tjera të besuara që mund të shpërndajnë ndihma humanitare dhe asistencë, përfshirë dozat e vaksinave në komunitete", tha sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Një analizë e fundit e Universitetit Duke thotë se për të arritur objektivin e fundvitit të OKB-së për të vaksinuar të paktën 40 për qind të popullsisë së botës, vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme u duhen 650 milionë doza shtesë përtej atyre që janë planifikuar të marrin nga programi COVAX.

“Kjo mund të duket shumë, por ne kemi parashikuar gjithashtu që vendet me të ardhura të larta – pra anëtare të G-7 dhe Bashkimit Evropian – ka të ngjarë të kenë në dispozicion më shumë se 800 milionë doza të tepërta që mund t’i rishpërndajnë pasi të përmbushin nevojat e brendshme”, tha Krishna Udayakumar me Qendrën Inovatore Duke Global Health.

Ndërsa shpërndarja e barabartë e dozave mbetet një problem, në shumë vende të botës problemi më i madh mund të jetë skepticizmi se vaksinat kundër COVID-it janë të sigurta dhe të efektshme. Administrata Biden thotë se po ndihmon gjithashtu vendet e tjera të kapërcejnë hezitimin e vaksinave në popullatat e tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat