Presidenti Biden rikonfirmon synimin për të emëruar anëtaren e parë afrikano-amerikane në Gjykatën e Lartë

Amerika

Presidenti Biden rikonfirmon synimin për të emëruar anëtaren e parë afrikano-amerikane në Gjykatën e Lartë

Më: 28 janar 2022 Në ora: 00:28
Presidenti Joe Biden heq maskën ndërsa përgatitet të flasë për daljen në pension të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Stephen Breyer, majtas, në dhomën Roosevelt të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, 27 janar 2022.

Presidenti Joe Biden konfirmoi të enjten synimin për të emëruar gruan e parë afrikano-amerikane në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se duhej të ishte realizuar prej kohësh. Ai e vlerësoi Gjykatësin në largim Stephen Breyer si një model i shërbimit publik dhe premtoi se do të propozojë një emër deri në fund të muajit shkurt.

Gjykatësi Breyer iu bashkua Presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë, një ditë pasi qarkulloi lajmi për daljen në pension të tij, tashmë në moshën 83-vjeçare.

Që kur Presidenti Biden mori detyrën në janar 2021, ai është përqëndruar tek procesi i emërimit të një grupi të larmishëm gjykatësish federalë, jo vetëm për sa i përket racës së tyre, por edhe ekspertizës profesionale. Ai ka emëruar tashmë pesë gra afrikano-amerikane në gjykatat federale, dhe tre të tjera presin miratimin nga Senati.

"Nuk kam vendosur ende, por personi që unë do të propozoj do të ketë kualifikime, karakter, përvojë dhe integritet të jashtëzakonshëm", tha Presidenti Biden. "Dhe personi do të jetë gruaja e parë afrikano-amerikane që do të emërohet në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara. Duhej të ishte bërë prej kohësh".

40 gjykatës të emëruar nga Presidenti Biden u konfirmuan deri në fund të vitit të tij të parë në detyrë, numri më i lartë ky që nga koha e Presidentit Ronald Reagan. Nga këta, 80% janë gra, dhe 53% nuk janë të bardhë, sipas të dhënave të qarkulluara nga Shtëpia e Bardhë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat