Refugjatët ukrainas kalojnë kufirin meksikan drejt Amerikës ndërsa migrantët hispanikë janë në pritje

Amerika

Refugjatët ukrainas kalojnë kufirin meksikan drejt Amerikës ndërsa migrantët hispanikë janë në pritje

Më: 21 prill 2022 Në ora: 19:59
Refugjatët ukrainas në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara (AP Photo/Gregory Bull)

Mijëra ukrainas po vërshojnë në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara në kërkim të një strehe të re, pasi Presidenti Joe Biden premtoi se do të mirëpriste 100 mijë ukrainas të larguar nga agresioni rus. Ditë më parë, kamerat e agjencisë së lajmeve Reuters filmuan një autobus dhe një furgon plot me refugjatë ukrainas duke iu afruar kalimit kufitar El Chaparral në Tijuana të Meksikës për të kaluar në Kaliforni. Ndërkohë, mijëra migrantë nga vendet e Amerikës Latine presin prej shumë kohësh që të gjejnë strehim në Shtetet e Bashkuara.

Refugjatët ukrainas, të larguar nga agresioni rus, po dynden në kufirin meksikan në përpjekje për të kaluar në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Joe Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara do presin 100 mijë refugjatë ukrainas të larguar nga lufta.

Në urën kufitare që ndan Meksikën me Shtetet e Bashkuara, shihen refugjatët ukrainas me bagazhe dhe dokumente identifikimi. Gjatë javëve të fundit, kjo ka qënë një skenë normale në qytetin kufitar, tashmë të mbushur me mijëra migrantë si Augusto Martinez. 63 vjeçari nga Hondurasi kërkon strehim në Shtetet e Bashkuara.

Ai së bashku me gruan dhe pesë fëmijët e tij të mitur po presin në kufi shfuqizimn e një mase emergjente kundër përhapjes së COVID-19 që nuk i lejon të hyjnë në Amerikë. Administrata e Presidentit Biden ka njoftuar se ligji i shëndetit publik do të shfuqizohet me 23 maj.

Honduriani Martinez thotë se qeveria amerikane ka standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për trajtimin e refugjatëve ukrainas në kufi, krahasuar me azilkërkuesit nga Amerika Qendrore.

“Ata kanë një luftë, në Amerikën Qendrore jemi më keq se në luftë. Ata kanë një luftë që nga shkurti ndërsa ne kemi mbi 20 vjet luftë me grupet kriminale. Plumbat vrasin njerëzit në Ukrainë, plumbat vrasin njerëzit në vendet tona. Ata pranojnë ukrainasit në Shtetet e Bashkuara por jo hispanikët”.

Drejtuesi i sherbimit të migracionit, Enrique Lucero, thotë se ndërsa Shtetet e Bashkuara po bëjnë një punë të mirë në përpunimin e refugjatëve ukrainas, gjatë javëve në vazhdim pritet ardhja e mijëra të tjerëve.

“Gjatë këtij viti kemi një fluks refugjatësh ukrainas. Sfidë ka qënë strehimi i tyre sepse gjatë dy viteve të fundit jemi përballur me një dydje të madhe migrantësh”.

Zyrtarët e migracionit thonë se po përgatitet që të përpunojë kërkesat e mijëra azilkëruesve nga Amerika Qendrore të cilët presin prej dy vitesh në strehimet kufitare./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat