SHBA, rritet blerja e armëve në mesin e pakicave

Amerika

SHBA, rritet blerja e armëve në mesin e pakicave

Më: 29 prill 2022 Në ora: 17:41
Foto ilusrim

Në Shtetet e Bashkuara është regjistruar një rritje në blerjen e armëve nga pakicat, ndërsa frika nga dhuna dhe krimi rritet. Sipas të dhënave shumë aziatiko-amerikanë, afrikano-amerikanë apo hispanikë, po blejnë armë, ndërsa ekspertët ngrejnë alarmin se shumë prej tyre nuk dinë si t’i përdorin. 

Tradicionalisht, në Shtetet e Bashkuara ata që mbanin armë ishin burra të bardhë që jetonin në zonat rurale të vendit. Por tani kjo ka ndryshuar, ata që blejnë armë janë edhe nga pakicat. 

Në dyqanin “Jimmy’s Sports Shop” në Long Island të shtetit të Nju Jorkut, pronari Jay Zeng e ka vënë re ndryshimin. 

“Shumë aziatikë vijnë këtu dhe blejnë armë zjarri. Ne duhet t’i ndihmojmë ata. Pra edhe ne aziatikët mund të blejmë armë për sa kohë që jemi qytetarë të ligjshëm këtu në shtetin e Nju Jorkut”, thotë ai. 

Sipas tij, aziatiko-amerikanët po blejnë armë pasi janë të frikësuar nga rritja e dhunës kundër këtij komuniteti, e nxitur nga pandemia e koronavirusit. Por nuk janë vetëm aziatiko-amerikanët, që po blejnë armë. 

Sipas Fondacionit Kombëtar të Sportit të Qitjes, në vitin 2020 zotërimi i armëve u rrit me 58.2% midis komunitetit afrikano-amerikanë dhe 49% midis hispanikëve. 

Një instruktor armësh zjarri, thotë se frika nga dhuna është një faktor motivues, që njerëzit të blejnë armë. 

“Incidentet që ndodhën pas rastit të George Floyd-it, incidentet me lëvizjen ‘Black Lives Matter’ dhe sigurisht pandemia e koronavirusit, të gjitha këto i bënë njerëzit të ndiheshin disi të pambrojtur. Tani shumë njerëz duan të mësojnë si të përdorin armët”, thotë zoti Damon Finch. 

Në vitet e fundit edhe pjestarë të komunitetit LGBTQ, gjithashtu kanë filluar të blejnë armë. 

“Disa po blejnë armë nga frika ndaj sulmeve që mund të ushtrohen ndaj tyre. Të tjerë po blejnë armë pasi shohin atë që po ndodh me rritjen e kriminalitetit në disa zona”, thotë Aaron Grossman, nga “Pink Pistols” në Boston. 

Në Shtetet e Bashkuara vlerësohet se rreth 400 milionë armë janë në përdorim, dhe 98 për qind e tyre janë në duart e civilëve. 

Më shumë se 45 mijë njerëz vdiqën nga lëndimet e shkaktuara nga armët në SHBA në vitin 2020, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. 

Sipas një studimi nga revista mjekësore “New England Journal of Medicine” ka një lidhje të qartë mes rritjes së dhunës me armë tek personat që mbajnë armë në shtëpi. 

“Nëse njerëzit nuk dinë si ta përdorin armën, nëse janë vërtet të rinj në përdorimin e një armë, ne mund të shohim një rritje të të shtënave aksidentale”, thotë David Yamane, nga Universiteti “Wake Forest”. 

Sipas tij nuk ka asnjë të dhënë, që sugjeron se mbajtja e një armë në mënyrë të ligjshme ul krimin. 

Megjithatë, blerja e armëve në Shtetet e Bashkuara vazhdon të rritet pasi më shumë njerëz mendojnë se të kesh një armë do t’i ndihmojë ata dhe familjet e tyre të jenë më të sigurt, pavarësisht nga raca apo identiteti i tyre./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat