Ish-shefi i Pentagonit: Putini bie në shtrat i frikësuar

Amerika

Ish-shefi i Pentagonit: Putini bie në shtrat i frikësuar

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 16:41
Ish-shefi i Pentagonit Jim Mattis

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis kritikoi të premten Presidentin rus Vladimir Putin dhe e quajti sulmin e Rusisë në Ukrainë, “marrëzi e tregues paaftësie".

Në një fjalim në Seul, zoti Mattis e krahasoi Presidentin Putin me një lloj personazhi paranojak, që përmendet në librat e shkrimtarit rus, Fyodor Dostojevsky.

“Putini është një krijesë që ka dalë nga librat e Dostojevskit. Ai bie në shtrat çdo mbrëmje i zemëruar, i frikësuar, e sheh një Rusi të rrethuar nga makthet", tha zoti Mattis.

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes ka bërë relativisht pak komente publike, që pas dorëheqjen së tij nga detyra e shefit të Pentagonit, në vitin 2018, për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi politikën e jashtme, me ish-Presidentin Donald Trump.

Zoti Mattis nuk foli drejtpërdrejtë rreth këtyre mosmarrëveshjeve, por tha se zoti Trump zbatoi një politikë të jashtme jotradicionale e cila sfidoi marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me aleatët e saj.

Komentet e zotit Mattis u përqëndruan tek zoti Putin. Ai e portretizoi atë si një njeri të çekuilibruar e të paaftë për të marrë vendime të zgjuara, për shkak të mungesës së njerëzve që i japin këshilla të shëndosha.

I pyetur se cili është mësimi më i rëndësishëm që mund të nxirret nga lufta e Rusisë në Ukrainë, zoti Mattis u përgjigj: "Nuk duhen zgjedhur gjeneralë të paaftë në krye të operacioneve".

Ai tha gjithashtu se sulmi i Rusisë ishte një sulm "taktikisht joprofesional dhe i pamenduar nga pikëpamja strategjike".

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes kritikoi gjithashtu forcimin e marrëdhënieve të Kinës me Rusinë, si dhe mungesën e gatishmërisë së Pekinit për të kundështuar luftën e Moskës në Ukrainë.

Një vend “nuk mund të jetë i madh, nëse mbështet sulmin kriminal të Rusisë në Ukrainë”, tha ai.

Duke iu referuar periudhës që shërbeu si shef i Pentagonit gjatë administratës së Presidentit Trump, zoti Mattis foli për një "kohë të trazuar" dhe e quajti ish-presidentin një "udhëheqës të pazakontë", por pa e kritikuar drejtpërdrejt.

"Demokracitë nganjëherë mund të jenë populiste dhe ndonjëherë thyejnë traditën", tha ai. "Është në natyrën e demokracive ndonjëherë, që të vënë në provë idetë e gjithçka".

Amerikanët, tha zoti Mattis, duhet të përgjigjen duke ruajtur besimin tek “institucionet" si dhe "tek ata me të cilët nuk pajtohen".

Zoti Mattis e mbajti fjalimin në Korenë e Jugut, një vend aleat i SHBA-ve, i cili ndjeu në mënyrë dramatike ndikimet e politikës së jashtme jotradicionale të zotit Trump.

I pyetur se çfarë mendonte mbi takimet e zotit Trump me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, zoti Mattis tha se megjithëse ai nuk ka qenë kurrë optimist mbi rezultatin e bisedimeve, përpjekja diplomatike sipas tij, ishte "gjëja e duhur për t'u bërë".

Zoti Mattis vlerësoi gjithashtu qasjen, që po zbaton presidenti i ri i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol, i cili synon që vendi i tij të luajë një rol më të madh në arenën ndërkombëtare.

Zoti Yoon, me pikëpamje konservatore, ka përqafuar në mënyrë të qartë politikat e Shteteve të Bashkuara. Ai mori pjesë në takimin e NATO-s që u mbajt në Madrid, duke shënuar herën e parë, që një udhëheqës i Koresë së Jugut merr pjesë në një takim të tillë.

Zoti Mattis vlerësoi praninë e zotit Yoon në takim, duke thënë se kjo gjë është në interesin më të mirë të Perëndimit.

Por ai kritikoi ato zëra në Seul, të cilët kohët e fundit kanë bërë thirrje që Koreja e Jugut të ketë armët e veta bërthamore.

"Nuk keni nevojë për armë bërthamore në gadishull për të siguruar parandalimin e tyre në shkallë të gjerë, dhe për sa kohë që ekziston besimi mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara", tha zoti Mattis.

Anketat e opinionit publik tregojnë vazhdimisht se shumica e koreano-jugorëve mbështesin idenë e pajisjes së vendit me armë bërthamore, në kushtet kur Koreja e Veriut vazhdon të rrisë arsenalin e vet bërthamor.

Gjatë periudhës së kandidimit të tij për president, zoti Yoon tha se do t'i kërkonte Shteteve të Bashkuara që të arrinin një marrëveshje për ndarjen e armëve bërthamore, ose ridislokimin e armëve taktike bërthamore, që Uashingtoni tërhoqi nga Koreja e Jugut në fillim të viteve 1990. Një gjë e tillë u refuzuar menjëherë nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut duhet të vazhdojnë të forcojnë besimin mes tyre duke treguar vendosmëri kundër qasjes së Phenianit për rritjen e kapaciteteve të tij bërthamore tha zoti Mattis.

“Duhet të bëni çdo gjë që ju vetë të mos pajiseni me këto armë, pasi ato janë të tmerrshme”, tha ai..VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat