Fillon përzgjedhja e jurisë për gjyqin e ish-këshilltarit të ish-presidentit Trump, Steve Bannon

Amerika

Fillon përzgjedhja e jurisë për gjyqin e ish-këshilltarit të ish-presidentit Trump, Steve Bannon

Më: 18 korrik 2022 Në ora: 23:06
Steve Bannon

Në Shtetet e Bashkuara filloi të hënën përzgjedhja e jurisë për procesin gjyqësor ndaj ish-këshilltarit presidencial gjatë administratës së presidentit Donald Trump, Steve Bannon. Zoti Bannon përballet me akuza për mosrespektim të Kongresit pasi refuzoi për muaj të tërë të bashkëpunonte me komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve që po heton ngjarjet e 6 janarit të vitit 2020, kur protestuesit sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan. Zoti Bannon është një nga aleatët më të njohur të ish-presidentit Donald Trump që refuzoi të dëshmojë para komisionit. Dënimi për çdo akuzë mund të jetë nga 30 ditë deri në një vit burg.

Ai u padit në nëntor me dy akuza për mosrespektim të Kongresit, një muaj pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë u njoftua nga Kongresi për këtë gjë.

Para një jave, zoti Bannon e njoftoi komisionin se tani është i gatshëm të dëshmojë. Ish-avokati i tij, Robert Costello, tha se ndryshimi në qëndrim ishte për shkak se presidenti Trump është tërhequr nga privilegji ekzekutiv për të parandaluar dëshminë.

Zoti Bannon ka thënë se refuzimi i tij mbrohet nga e drejta e zotit Trump për privilegj ekzekutiv, i cili u lejon presidentëve të mos i japin informacion gjykatave dhe ekzekutivit.

Presidenti Trump e ka përdorur në mënyrë të përsëritur privilegjin ekzekutiv ndonëse nuk është më në pushtet, për të tentuar të bllokojë dëshmitarët dhe publikimin e dokumenteve të Shtëpisë së Bardhë. Gjykata e Lartë në janar vendosi kundër përpjekjeve të zotit Trump për të ndaluar Arkivin Kombëtar nga bashkëpunimi me komisionin hetues të Kongresit amerikan pasi gjykatësja, Ketanji Brown Jackson, e cila vendosi për këtë çështje, nënvizoi se, “Presidentët nuk janë mbretër". Zonja Brown Jackson tani është anëtarja më e re e Gjykatës së Lartë.

Komisioni hetimor ka vënë në dukje gjithashtu se presidenti Trump e shkarkoi zotin Bannon nga posti i tij në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017, pra gati 3 vjet para sulmit ndaj kongresit amerikan të 6 janarit 2020. Diskutimet e zotit Bannon me presidentin Trump, gjatë dhe para kohës së trazirave, kanë qenë në mes të presidentit të atëhershëm dhe një qytetari privat pasi zoti Bannon nuk kishte më post qeveritar.

Gjykatësi i qarkut, Carl Nichols që e ka përsipër rastin e zotit Bannon, refuzoi mocionet për të shtyrë gjyqin. Avokatët e zotit Bannon ngritën shqetësime të enjtën në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të paanshëm të jurisë pasi ata mund të ndikohen nga një raport i transmetuar i rrjetit televiziv amerikan, “CNN” për klientin e tyre dhe ato që avokatët thanë se ishin komente paragjykuese të bëra gjatë një seance dëgjimore javën e kaluar nga komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton trazirat e 6 janarit 2020.

“Unë jam i vetëdijshëm për shqetësimet në lidhje me vëmendjen e opinionit dhe rrezikun nga paragjykimet në lidhje me atë nëse mund të kemi një juri që do të jetë e përshtatshme dhe e drejtë, por besoj se rruga e duhur është të kalojmë përmes procesit," tha gjyqtari Nichols të enjten. Ai vuri theksin tek fakti se çdo anëtar i mundshëm i jurisë do të merret individualisht në pyetje para së të zgjidhet. Gjykatësi tha se kishte ndërmend të pranonte vetëm një juri që "do të jetë e përshtatshme, e drejtë dhe e paanshme”.

Megjithëse gjykatësi lejoi vazhdimin e procesit, zoti Nichols la të hapur mundësinë që letra ku ish-presidenti Trump shprehet se ka hequr dorë nga privilegji për të mbajtur konfidenciale bisedat me zotin Bannon dhe gatishmëria e këtij të fundit që tani të bashkëpunojë me komisionin hetues mund të përdoren në gjyq, duke thënë se këto informacione janë "të paktën potencialisht të rëndësishme" për mbrojtjen e zotit Bannon.

Zoti Roscoe Howard Jr., ish prokuror amerikan në Uashington, tha se skenari më i favorshëm për zotin Bannon është nëse informacioni mbi gatishmërinë e tij të bashkëpunimit me komisionin hetues arrin të dëgjohet nga juria. Edhe nëse ndodh, pretendimi se privilegji ekzekutiv e ndaloi atë nga bashkëpunimi më parë do të jetë një argument i vështirë për t'u bërë sepse zoti Bannon refuzoi t'i përgjigjet thirrjes në tërësi, tha zoti Howard.

“Duhesh të shkosh fizikisht tek komisioni që të kesh mundësi të shfrytëzosh privilegjin ekzekutiv. S’mund ta bësh këtë përmes telefonit”, tha zoti Howard./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat