Steve Bannon shpallet fajtor për shpërfillje të Kongresit

Amerika

Steve Bannon shpallet fajtor për shpërfillje të Kongresit

Më: 22 korrik 2022 Në ora: 22:10
Steve Bannon.

Një juri amerikane ka gjetur se Steve Bannon, strategu i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, është fajtor në dy akuza për shpërfillje të Kongresit.

"I pandehuri zgjodhi besnikërinë ndaj Donald Trumpit, në vend të respektimit të ligjit."

Secila akuzë është e ndëshkueshme me 30 ditë në deri një vit burgim, si dhe me gjobë nga 100 deri në 100.000 dollarë amerikanë.

Gjyqtari Carl Nichols e ka caktuar datën e dënimit më 21 tetor.

Pavarësisht zotimit të ekipit të tij për përndjekje të armiqve, rasti është mbyllur të enjten pa dëshminë e tij dhe pa ftuar dëshmitarë tjerë.

Avokatët kanë pretenduar se gjyqi kundër Bannonit përbën akt ndëshkimi politik.

Në deklaratat e fundit, avokati, Evan Corcoran i ka thënë gjykatës se rruga që ka marrë klienti i tij, Bannon, “ka dalë të jetë e gabuar”, mirëpo “nuk përbën krim”.

Paneli gjyqësor me 12 anëtarë ka diskutuar për tri orë para se të merrte vendimin.

Bannon ka qenë lojtar kyç në zgjedhjet e vitit 2016 që ka fituar Trump, duke shërbyer fillimisht si shef i fushatës dhe më vonë si strateg në Shtëpinë e Bardhë.

Ai e pati lënë pozitën pas pasojave politike nga një marsh i dhunshëm i të djathtës ekstreme në Sharllotsvill në gusht të vitit 2017.

Megjithatë, ai ende konsiderohet aleat i Trumpit.

Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili heton trazirat që kanë ndodhur në Kongresin amerikan në janar të vitit të kaluar, ka ftuar për intervistë Bannonin në shtator.

Paneli ka besuar se Bannon ka qenë i përfshirë në përpjekjet e mbështetësve të Trumpit për të hyrë në Kongres dhe për të sfiduar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, që i ka fituar presidenti aktual, Joe Biden.

Paneli ka qenë veçanërisht i interesuar në komunikimet e Bannonit me Trumpin para incidentit, dhe si për takimet që ka zhvilluar në një hotel të afërt me figura tjera kyçe.

Më herët gjatë ditës, komiteti hetues ka thënë se Trump ka shikuar trazirat nga televizori dhe ka injoruar thirrjet e fëmijëve dhe këshilltarëve të tij për të dënuar turmën.

Në seancën dëgjimore është thënë se Trump nuk i ka telefonuar forcat e rendit.

Ai ishte i motivuar “nga dëshira egoiste për të qëndruar në pushtet”, ka thënë komiteti./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat