Dhuna e bandave në Haiti: 209 të vrarë në Cite Soleil brenda dhjetë ditëve

Amerika

Dhuna e bandave në Haiti: 209 të vrarë në Cite Soleil brenda dhjetë ditëve

Më: 26 korrik 2022 Në ora: 18:01
Foto ilustrim

Më shumë se 200 njerëz janë vrarë nga dhuna e bandave në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince, brenda 10 ditëve, thuhet në shifrat e Kombeve të Bashkuara.

Pothuajse gjysma e atyre që vdiqën ishin banorë që nuk kishin ndonjë lidhje me bandat që po luftojnë për kontrollin e lagjes Cite Soleil, thonë nga OKB.

Vendasit thonë se po u mbaron uji i pijshëm dhe ushqimi pasi dërgesat janë ndalur si pasojë e të shtënave.

Një banor e përshkroi jetën e tij si “një cikël frike, stresi dhe dëshpërimi”.

Dhuna e bandave është rritur që nga vrasja e presidentit Jovenel Moise nga mercenarët një vit më parë, por ajo ka arritur në nivele të reja më të rënda që nga një betejë që shpërtheu më 8 korrik midis dy aleancave kriminale, të njohura si G9 dhe G-Pep.

Nga OKB thonë se 209 njerëz janë vrarë nga 8 deri më 17 korrik, prej të cilëve 114 ishin anëtarë të bandës. 254 persona të tjerë kanë pësuar plagë nga armët e zjarrit, më shumë se gjysma e tyre banorë pa pasur lidhje me bandat.

Rreth 3,000 banorë janë detyruar të largohen. Shumë prej tyre nuk kanë asgjë për t’u kthyer pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan ose u dogjën nga bandat.

Të tjerë nuk guxojnë të largohen nga shtëpitë e tyre nga frika se mos vriten nga plumbat, shkruan BBC.

Me ndërprerjen e furnizimit me karburant, ushqim dhe ujë të pijshëm, Programi Botëror i Ushqimit dhe Fondi i OKB-së për Fëmijët kanë filluar të dërgojnë ndihma direkt për njerëzit më të rrezikuar në Cite Soleil.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat