Trump nuk kundërshton publikimin e urdhrit për bastisjet në shtëpinë e tij

Amerika

Trump nuk kundërshton publikimin e urdhrit për bastisjet në shtëpinë e tij

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 08:11
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje që të publikohet “menjëherë” urdhri i FBI-së për bastisjet në shtëpinë e tij në Florida.

Kjo thirrje e Trumpit erdhi disa orë pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë i kërkoi një gjykate që të bëjë publike urdhrin, teksa prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, tha se kjo kërkesë bëhet për shkak të “interesit publik për këtë çështje”.

Në një mesazh të postuar në platformën e tij sociale, Truth Social, Trump shkroi:

Unë jo vetëm që nuk e kundërshtoj publikimin e dokumenteve... Unë do të bëj edhe një hap më tej duke i inkurajuar që të publikojnë menjëherë këto dokumente”.

Ai sërish tha se bastisjet e Byrosë Federale të Hetimeve në pronën e tij në Mar-a Lago ishin “të pajustifikueshme dhe të panevojshme”.

Publikoni dokumentet menjëherë”, shkroi ai.

Gjatë 11 gushtit, Departamenti i Drejtësisë tha se ka bërë kërkesë për publikimin e dokumenteve, që zakonisht mbesin konfidenciale kur një hetim është në zhvillim e sipër. Por, departamenti tha se publiku duhet të dijë pse FBI-ja bastisi shtëpinë e ish-presidentit të hënën, më 8 gusht.

Interesi i publikut është i madh për të kuptuar atë që ndodhi”, thuhej në mocionin e paraqitur në gjykatën federale në Florida.

Tani i mbetet gjyqtarit të vendosë nëse do të publikojë urdhrin e bastisjeve. Por, nëse publikohen dokumentet mund të nxjerrin informacione lidhur me dyshimet që FBI ka për trajtimin e dokumenteve të ndjeshme qeveritare nga ana e Trump, teksa ai po përgatitet që të garojë sërish për postin e presidentit.

Ende nuk dihet se sa shumë informacione mund të ketë në dokumente nëse ato bëhen publike.

Bastisjet e të hënës ishin bastisjet e para në historinë amerikane në shtëpinë e ndonjë ish-presidenti, si pjesë e një hetimi penal. Trump dhe republikanë të tjerë kanë kritikuar këtë vendim të FBI-së dhe kanë thënë se është i motivuar politikisht.

Por, duke folur në një konferencë për media më 11 gusht, prokurori i Përgjithshëm, Merrick Graland, mbrojti agjentët e FBI-ë dhe zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë.

Nuk do të rri i heshtur kur integriteti i tyre sulmohet padrejtësisht”, tha ai për gazetarët.

Ai pranoi se personalisht ka miratuar urdhrin për bastisjet dhe se marrja e këtij vendimi nuk ka qenë e lehtë.

Më herët, avokatja e Trimpit, Lindsey Halligan, ka thënë se Trump dhe ekipi i tij ligjor po e shqyrtonin mundësinë për të publikuar urdhrin e bastisjeve para se gjykatësi të marrë ndonjë vendim. Ata po ashtu po e shqyrtojnë mundësinë e publikimit të fotografive dhe videove nga bastisjet, tha ajo.

Agjentët e FBI-së në Mar-a Lago kanë kërkuar që kamerat e sigurisë të fiken, por ekipi i Trumpit ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë, ka raportuar CBS News.

Trump deklaroi të enjten se nuk ka pasur nevojë për bastisje pasi tha se avokatët e tij po bashkëpunonin plotësisht dhe se “Qeveria mund të marr çfarëdo që të dëshirojë, nëse ne e kemi në pronësi atë”./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat