Jill Biden infektohet me COVID, me “simptoma të lehta”, thotë Shtëpia e Bardhë

Amerika

Jill Biden infektohet me COVID, me “simptoma të lehta”, thotë Shtëpia e Bardhë

Më: 16 gusht 2022 Në ora: 22:31
Jill Biden

Zonja e parë Jill Biden është infektuar me COVID-19, duke shfaqur simptoma të ngjashme me gripin të hënën vonë në mbrëmje, tha Shtëpia e Bardhë të martën.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha në një deklaratë, se zonja Biden "po përjeton vetëm simptoma të lehta" të koronavirusit dhe i është dhënë ilaçi Paxlovid. Zonja Biden rezultoi dy herë negative për COVID-19 në një test të shpejtë të antigjenit të hënën, por një test më i saktë , PCR, më vonë doli pozitiv.

Ilaçi Paxlovid është i njëjti trajtim që mori bashkëshorti i saj, presidenti Joe Biden, kur së fundmi u prek nga virusi dhe më pas pati edhe një rast të dytë infektimi.

Zonja e parë, 71-vjeçare, është vaksinuar dy herë kundër virusit dhe ka marrë dy herë vaksinën përforcuese.

Sipas udhëzimeve nga Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve të vendit, Jill Biden do të izolohet për të paktën pesë ditë dhe njerëzit që kanë qënë në kontakt të ngushtë me të janë njoftuar, tha Shtëpia e Bardhë.

Çifti Biden dhe familja e tyre kanë qënë me pushime ditët e fundit në një rezidencë pranë oqeanit Atlantik në Karolinën e Jugut në pronësi të një donatori të fushatës së Partisë Demokrate. Shtëpia e Bardhë tha se zonja Jill Biden do të kthehet në Uashington pasi të ketë bërë dy teste të njëpasnjëshme negative për COVID-in.

Presidenti Biden rezultoi negativ për COVID-in të martën në mëngjes në një test antigjeni, tha Shtëpia e Bardhë. Por duke qenë se ai është në kontakt të ngushtë me gruan e tij, Shtëpia e Bardhë tha se ai do të mbajë një maskë për 10 ditë kur të jetë në mjedise të mbyllura dhe në afërsi me të tjerët./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat