SHBA-ja thotë se do t’i përgjigjet shpejt Iranit për marrëveshjen bërthamore

Amerika

SHBA-ja thotë se do t’i përgjigjet shpejt Iranit për marrëveshjen bërthamore

Më: 23 gusht 2022 Në ora: 11:29
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price. Fotografi nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mohuar akuzat e Iranit iraniane për “zvarritjen” negociatave që synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke thënë se Uashingtoni po punon sa më shpejt që është e mundur për të kthyer përgjigje të përshtatshme ndaj komenteve të Teheranit, në drafin final të marrëveshjes të paraqitur nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha më 22 gusht se SHBA-ja ishte e inkurajuar nga Irani që duket se ka hequr dorë nga disa nga kërkesat, siç është ajo për heqjen e përcaktimit të terrorizmit për Korpusin e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), por shtoi se ka ende çështje të pazgjidhura që duhet të zgjidhen.

Price foli disa orë pasi Irani pretendoi se Uashingtoni ishte duke “zvarritur” negociatat jodirekte për të ringjallur marrëveshjen bërthamore dhe se këmbimi i të burgosurve me Shtetet e Bashkuara nuk është i lidhur me bisedimet bërthamore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, ka thënë në një konferencë për media më 22 gusht në Teheran se, shumë pak çështje kanë mbetur për t’u diskutuar, por të gjitha janë shumë të rëndësishme. Ai ka thënë se Iranit i duhet marrëveshje e qëndrueshme që do t’ia ruante të drejtat legjitime.

“Amerikanët janë duke e zvarritur procesin dhe pala evropiane nuk është duke vepruar… Amerika dhe Evropa kanë nevojë për marrëveshje më shumë sesa Irani”, ka thënë ai.

Bashkimi Evropian tha më 9 gusht se e drafti prej 25 faqesh u është dorëzuar kryeqyteteve të përfshira në proces dhe se teksti është përfundimtar.

Irani ka nënshkruar marrëveshjen bërthamore me Shtetet e Bashkuara, Francën, Gjermaninë, Britaninë, Rusinë dhe Kinën më 2015.

Marrëveshja parasheh që Irani të kufizojë aktivitetin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Më 2018, Uashingtoni është tërhequr nga marrëveshja dhe ka rikthyer sanksionet ndaj Teheranit.

Prej asaj kohe, Irani ka nisur t’i shmanget marrëveshjes dhe të rrisë pasurimin e uraniumit.

Negociatorët nga Irani, Rusia dhe Bashkimi Evropian – si dhe nga Shtetet e Bashkuara, indirekt – kanë rinisur bisedimet për marrëveshjen me Teheranin më 4 gusht në Vjenë, pas disa muajsh bllokada në negociata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat