Dhoma e Përfaqësuesve miraton projektligjin për të frenuar ndërhyrjet politike në regjistrimin e popullësisë

Amerika

Dhoma e Përfaqësuesve miraton projektligjin për të frenuar ndërhyrjet politike në regjistrimin e popullësisë

Më: 15 shtator 2022 Në ora: 23:28
Foto ilustrim

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të enjten një projektligj që synon t'ua bëjë më të vështirë presidentëve të ardhshëm ndërhyrjen në regjistrimin e popullsisë që zhvillohet një herë në dekadë e që përcakton fuqinë politike dhe financimin federal. Veprimi vjen si përgjigje ndaj përpjekjes së dështuar të administratës Trump për të bërë një pyetje për shtetësinë pjesë të formularit për regjistrimin e popullësisë të vitit 2020.

Projektligji u miratua në linja partiake 220-208. Ai kërkon që Sekretari i Tregtisë t'i vërtetojë Kongresit se çdo pyetje e re që kërkohet për një regjistrim të ardhshëm të jetë e studiuar dhe testuar në mënyrë adekuate dhe që Zyra e Përgjegjësive të Qeverisë të kryejë një rishikim të certifikimit.

Projektligji gjithashtu kërkon të kufizojë ndikimin politik duke mandatuar që një drejtor i Byrosë së Regjistrimit të mund të shkarkohet vetëm në rastet e neglizhencës së detyrës ose shkeljes së detyrës. Ai i jep drejtorit të gjithë pushtetin për vendimet teknike, operacionale dhe statistikore dhe thotë se një zëvendësdrejtor duhet të jetë një punonjës me përvojë në demografi, statistika ose fusha të ngjashme.

"Manipulimi partiak i regjistrimit është thjesht i gabuar", tha ligjvënësja Carolyn Maloney, demokrate nga Nju Jorku e cila kryeson Komisionin për Mbikëqyrjen dhe Reformën, që hetoi përpjekjet e administratës Trump për të shtuar çështjen e shtetësisë. "Ligji i ri do të mbrojë regjistrimin dhe siguron që kjo të mos ndodhë më, pavarësisht se cila parti është në pushtet".

Republikanët kundërshtuan njëzëri projektligjin, duke thënë se ai vendos më shumë pushtet në duart e burokratëve të pazgjedhur, duke ulur përgjegjësinë.

Ligjvënësi James Comer tha se ndryshimet janë krijuar për ta bërë më të lehtë që rezultatet e ardhshme të regjistrimit të favorizojnë shtetet me prirje demokratike mbi shtetet me prirje republikane, duke e bërë më të vështirë rrëzimin e drejtorit edhe kur presidenti ose Kongresi janë të shqetësuar për vendimet që ata besojnë se do të japin një numërim të padrejtë ose të pasaktë.

Projektligji përballet me një sfidë të madhe në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, duke pasur parasysh votën në linja partiake në Dhomën e Përfaqësuesve. Por senatori Gary Peters, kryetar demokrat i Komisionit të Senatit për Sigurinë e Brendshme dhe Çështjet Qeveritare, tha se është "e qartë se ne do ta shqyrtojmë atë shumë seriozisht".

Regjistrimi përcakton se sa vende për në Kongres merr secili shtet dhe shpërndarjen çdo vit të 1.5 trilion dollarëve në shpenzimet federale. Rezultatet e tij përdoren për ripërcaktimin e zonave politike. Regjistrimi i vitit 2020 ishte një nga më sfiduesit në dekadat e fundit për shkak të përpjekjeve për ndërhyrje politike, pandemisë COVID-19 dhe fatkeqësive natyrore.

Në regjistrimin e vitit 2020, administrata Trump u përpoq pa sukses të shtonte një pyetje për shtetësinë në pyetësorin e regjistrimit, një lëvizje që ekspertët kishin frikë se do t'i trembte hispanikët dhe emigrantët nga pjesëmarrja, pavarësisht nëse ishin në vend ligjërisht apo jo. Gjykata e Lartë e bllokoi pyetjen.

Administrata Trump gjithashtu u përpoq pa sukses që të detyronte Byronë e Regjistrimit të përjashtonte njerëzit në vend në mënyrë të paligjshme nga shifrat e popullsisë që përdoren për ndarjen e vendeve të kongresit midis shteteve, të quajtura gjithashtu numrat e ndarjes. Administrata Trump u përpoq t'i jepte fund mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave më herët se orari i rishikuar i paraqitur nga Byroja e Regjistrimit në përgjigje të pandemisë, një lëvizje që kritikët e panë si një përpjekje nga administrata për të lëshuar shifrat ndërsa Presidenti Donald Trump ishte ende në detyrë.

Numrat e ndarjeve u publikuan në prill 2021, katër muaj pasi Presidenti Joe Biden mori detyrën dhe zoti Trump u largua.

Kritikët pretenduan se çështja e nënshtetësisë ishte frymëzuar nga një ekspert republikan i cili besonte se përdorimi i popullsisë në moshë votimi në vend të popullsisë totale për qëllimin e rishikimit të distrikteve të Kongresit dhe legjislativit mund të ishte e dobishme për republikanët dhe të bardhët johispanikë.

Edhe pse shumë nga përpjekjet politike të administratës Trump dështuan, disa ekspertë besojnë se ato patën një ndikim, në uljen e dukshme të pakicave racore dhe etnike në regjistrimin e vitit 2020 krahasuar me regjistrimin e vitit 2010./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat