Aleatët e zotit Trump krijojnë Komitetin e Veprimit Politik MAGA Inc.

Amerika

Aleatët e zotit Trump krijojnë Komitetin e Veprimit Politik MAGA Inc.

Më: 23 shtator 2022 Në ora: 22:44
Donald Trump

Aleatët kryesorë të ish-presidentit Donald Trump krijuan një organizatë të re politike që pritet të shërbejë si mjeti kryesor për shpenzimet e tij në zgjedhjet e këtij viti për Kongresin dhe mund të bëhet një pjesë kyçe e infrastrukturës së fushatës së tij nëse ai vendos të hyjë në garën presidenciale të vitit 2024. 

Komiteti i Veprimit Politik (PAC), që merret me grumbullimin e fondeve për fushata zgjedhore ose kandidatët, i quajtur “MAGA Inc.”, do të zëvendësojë organizatën politike aktuale të zotit Trump, njoftoi fillimisht gazeta “Politico”. Dokumentet për krijimin e organizatës së re u dorëzuan të premten në mëngjes tek Komisioni Federal i Zgjedhjeve. 

Kjo ndodh në një kohë kur republikani Donald Trump është nën presion ligjor në rritje në shumë fronte. Departamenti i Drejtësisë ka nisur një hetim penal lidhur me qindra dokumente të klasifikuara që përfunduan në shtëpinë e tij në Florida, dhe zyrtarët shtetërorë dhe federalë po hetojnë përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj demokratit Joe Biden. Ndërkohë në Nju Jork, Prokurorja e Përgjithshme Letitia James ngriti një padi këtë javë, në të cilën pretendohet se kompania e ish-presidentit Trump ka bërë shkelje të shumta prej disa dekadash në dokumentet financiare për të rritur vlerën e saj me miliarda dollarë. 

Njoftimi për krijimin e Komitetit të ri të Veprimit Politik bëhet gjithashtu më pak se dy muaj përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit për Kongresin. 

“Presidenti Trump është i përkushtuar në përpjekjen për të shpëtuar Amerikën dhe ‘Make America Great Again Inc.’ do të sigurojë që kjo të arrihet në kutinë e votimit në nëntor dhe më tej”, tha zëdhënësi i zotit Trump, Taylor Budowich, i cili do të shërbejë si drejtor ekzekutiv i MAGA Inc. Kësaj organizate do t’i bashkohen edhe eksperti politik republikan Chris LaCivita, eksperti i sondazheve, Tony Fabrizio dhe ndihmësit e komunikimit Steven Cheung dhe Alex Pfeiffer. 

Ndërsa ish-presidenti Trump ka luajtur një rol të konsiderueshëm në grumbullimin e fondeve që nga largimi nga posti i presidentit, Komiteti aktual i Veprimit Politik “Make America Great Again Inc.” nuk ka qenë një aktor i madh në zgjedhjet për Kongresin. 

Zoti Trump ka qenë nën presion në rritje për të përdorur fondet e mbledhura për zgjedhjet për Kongresin, pasi republikanët deri më tani kanë arritur të grumbullojnë më pak fonde se sa rivalët e tyre demokratë për fushatën e zgjedhjeve të 8 nëntorit. 

Presidenti Trump pritet të hyjë sërish në garën presidenciale, por ende nuk është e qartë se kur do ta njoftojë vendimin e tij për të kandiduar. Më herët ai dëshironte ta njoftonte kandidaturën para zgjedhjeve për Kongresin, pjesërisht për të shkurajuar kandidatë të tjerë të mundshëm republikanë, por disa ndihmës i kërkuan atij që të priste, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund ta linte atë të hapur ndaj kritikave dhe fajësimit për paraqitje të dobët të republikanëve në zgjedhjet e 8 nëntorit./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat