Brazil, Bolsonaro rezulton më i fortë nga sa parashikonin sondazhet

Amerika

Brazil, Bolsonaro rezulton më i fortë nga sa parashikonin sondazhet

Më: 3 tetor 2022 Në ora: 20:48
Jair Bolsonaro

Jair Bolsonaro i tejkaloi dukshëm pritshmëritë në zgjedhjet presidenciale të Brazilit, duke dëshmuar se vala e ekstremit të djathtë që e çoi atë në presidencë, mbetet e fortë.

Shumë sondazhe parashikuan një fitore domethënëse të ish-presidentit të majtë Luiz Inácio Lula da Silva. Disa prej tyre sugjeronin një fitore të tij që në raundin e parë me një diferencë që i afrohej apo tejkalonte dy shifrat. Por zoti Bolsonaro arriti të sigurojë vetëm pesë për qind më pak sesa zoti da Silva, me të cilin do të përballet tashmë në një balotazh më 30 tetor.

Sipas autoritetit zgjedhor të Brazilit zoti Da Silva mori 48.4% të votave ndërsa zoti Bolsonaro 43.2%. Pjesa tjetër u ndaj mes nëntë kandidatëve të tjerë.

“Ka ende shumë pikëpyetje në lidhje me votën ndaj Bolsonaros, ka shumë diskutime për votat e disa personave që thanë se do të votonin për një kandidat të qendrës ... por kjo në vetvete nuk shpjegon gjithçka”, tha Arilton Freres, drejtor i Institutit Opinião me bazë në Curitiba, duke shtuar se të dhënat e vjetruara të regjistrimit te popullsise gjithashtu mund të kenë pasur ndikim në rezultatet që ofruan sondazhet.

“Lula është në avantazh, por nuk do të jetë e lehtë për të”, shton ai.

Zgjedhjet nuk u shoqëruan nga dhuna politike nga e cila druhej shumëkush. Alexandre de Moraes, gjyqtar i Gjykatës së Lartë, i cili drejton gjithashtu autoritetin zgjedhor, përgëzoi Brazilin për zhvillimin e zgjedhjeve "të sigurta, të qeta, në harmoni e paqe" çka tregoi pjekurinë demokratike të vendit sikurse tha ai.

Megjithatë tensionet mbeten të larta, ashtu si dhe rreziqet. Zgjedhjet do të përcaktojnë nëse në Brazil do të rikthehet e majta, apo nëse zoti Bolsonaro do të vazhdojë të qeverisë për një mandat tjetër.

Katër vitet e fundit janë shënuar nga fjalimet i tij provokuese, vënia në provë e institucioneve demokratike, kritikat e gjera ndaj mënyrës së trajtimit të pandemisë së COVID-19-ës si dhe shpyllëzimi më i rendë që kanë përjetuar pyjet e Amazonës në 15 vite. Por zoti Bolsonaro ka ndërtuar një bazë të përkushtuar, duke mbrojtur vlerat konservatore dhe duke e paraqitur veten si një njeri që mbron kombin nga politikat e majta, që sikurse thotë ai cënojnë liritë personale e prodhojnë trazira ekonomike.

"E kuptoj se ka një dëshirë nga popullata për ndryshim, por disa ndryshime mund të jenë për keq", u tha zoti Bolsonaro gazetarëve pas publikimit të rezultateve. Ai ka pohuar në mënyrë të përsëritur, por ofruar prova, se makinat elektronike të votimit janë të dobëta ndaj manipulimit. Megjithatë ai nuk e sfidoi rezultatin e zgjedhjeve.

Zoti Da Silva vlerësohet për krijimin e një programi të gjerë të mirëqenies sociale gjatë mandatit të tij në vitet 2003-2010, program që ndihmoi në ngritjen e dhjetëra miliona njerëzve në klasën e mesme dhe rritjen e eksporteve mes bumit global të mallrave. Ai mbahet mend gjithashtu për përfshirjen e partisë së tij në skandale korrupsioni dhe dënimin e tij, dënime që më vonë u anuluan nga Gjykata e Lartë që vendosi se gjyqtari ishte i njëanshëm. Kjo e liroi atë nga burgu dhe hapi rrugën për kandidimin e tij per president.

Sipas analistëve shumë votues me sa duket ishin rikthyer tek zoti Bolsonaro pasi më parë kishin favorizuar kandidatët me pak shanse për të fituar. Këta kandidatë humbën në raundin e parë edhe më keq nga sa pritej.

“Njerëzit që fillimisht mbështesnin Simone Tebet ose Ciro Gomes (që dolën përkatësisht të tretët dhe të katërtët) vendosën në minutën e fundit të votojnë për Bolsonaron”, tha Nara Pavão, pedagoge e shkencave politike në Universitetin Federal në Pernambuco.

Rezultati “lë një shije të hidhur për të majtën, nëse marrim parasysh se çfarë tregonin sondazhet”, thotë Rafael Cortez, i cili mbikëqyr çështje që lidhen me rrezikun politik në kompaninë e konsulencën ‘Tendencias Consultoria’.

Zoti Bolsonaro dhe aleatët e tij kanë hedhur vazhdimisht dyshime mbi besueshmërinë e kompanive anketuese si Datafolha, duke vënë theksin tek pjesëmarrja e madhe në mitingjet e tij në rrugë.

“Shumë njerëz u mahnitën nga gënjeshtrat e propaganduara nga institutet kërkimore”, shkruante zoti Bolsonaro të hënën në profilin e tij në Twitter. “Të gjitha parashikimet e tyre ishin të gabuara dhe ata tashmë janë humbësit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve. Ne e mundëm atë gënjeshtër dhe tani do të fitojmë zgjedhjet!”, shtonte ai.

Diferenca mes zotit Bolsonaro dhe zotit da Silva në raundin e parë llogaritet në 6.1 milionë vota. Kandidatët Tebet dhe Gomes së bashku fituan 8.5 milionë vota. Më shumë se 30 milionë njerëz abstenuan. Edhe pse zonja Tebet ka lënë të kuptohet se mund t'i nxisë mbështetësit e saj të mbështesin zotin da Silva, as ajo dhe as zoti Gomes nuk kanë bërë ende deklarata të qarta se kë do të mbështesin më 30 tetor.

Duke folur pas rezultateve, zoti da Silva tha se ishte i emocionuar për javët e fushatave që e prisnin përpara dhe mundësinë për të dalë ballë për ballë me zotin Bolsonaro për të bërë sikurse tha krahasime mes “Brazilit që ai ndërtoi me Brazilin që u ndërtua gjatë qeverisjes së Da Silvës”.

“Gjithmonë kam menduar se do t'i fitojmë këto zgjedhje. Dhe unë ju them se ne do t'i fitojmë. Kjo për ne është vetëm çështje kohe", tha da Silva.

Nata pozitive për të djathtën u shtri në garat për guvernatorë dhe ato për një vend në kongres, veçanërisht për sa i takon kandidatëve që kishin mbështetjen e zotit Bolsonaro. Ish-ministri i tij i infrastrukturës fitoi garën për të qeverisur San Paulon. Guvernatori i Rio de Zhaneiros, një aleat i tij, mundi kundërshtarin duke u rizgjedhur në detyrë.

Sergio Moro, ish-gjyqtari që burgosi përkohësisht zotin da Silva dhe që ka shërbyer më pare si ministër i Drejtësisë në administratën Bolsonaro, sfidoi sondazhet duke fituar një vend në Senat. Dhe Partia Liberale e zotit Bolsonaro pritet të marrë më shumë vota sesa Partia e Punëtorëve të zotit da Silvës duke u shndërruar në forcën më të madhe në Senat dhe dhomën e ulët të Kongresit.

Ndër fituesit ishte dhe ish-ministri i Shëndetësisë në administratën Bolsonaro, një gjeneral që mbikëqyri menaxhimin problematik të pandemisë si dhe ish-ministri i mjedisit, që dha dorëheqjen mes një hetimi nën akuzat se kishte ndihmuar eksportin e lëndës drusore të prerë ilegalisht në Amazonë.

“E djathta ekstreme ka treguar elasticitet të madh në garat presidenciale dhe ato shtetërore”, thotë Carlos Melo, një profesor i shkencave politike në universitetin Insper në San Paulo.

"Brazili është shumë më i polarizuar nga sa menduan shumë njerëz dhe qeverisja do të jetë e vështirë për këdo që fiton", thotë Brian Winter, nënkryetar për politikën në Shoqërinë Amerikane dhe Këshillin e Amerikave një organizatë dedikuar dialogut në Hemisferen Perëndimore “Mendoj se javët e ardhshme do të rëndojnë shumë mbi demokracinë e Brazilit, ndërsa këta dy persona garojnë me agresivitet. Do të jetë një garë e shëmtuar që do të lërë plagë”, shtoi ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat