Sinjalizuesi: Qindra të larguar në 20 vjet nga FBI-ja për shkelje, mes tyre abuzime seksuale

Amerika

Sinjalizuesi: Qindra të larguar në 20 vjet nga FBI-ja për shkelje, mes tyre abuzime seksuale

Më: 6 tetor 2022 Në ora: 20:48
Foto ilustrim

Një senator amerikan i ka kërkuar FBI-së më shumë informacion lidhur me pretendimet e një sinjalizuesi sipas ë cilit një proces rishikimi ka gjetur se 665 anëtarë të personelit të FBI-së, kanë dhënë dorëheqjen ose kanë dalë në pension, gjatë dy dekadave të fundit, për të shmangur përgjegjësinë në hetimet për shkelje të ligjit.

Sinjalizuesi i tha zyrës së senatorit të Iowa-s Chuck Grassley, republikanit kryesor në komisionin Ligjor të Senatit, se Departamenti i Drejtësisë kishte nisur një proces rishikimi të bazës së të dhënave disiplinore të FBI-së në vitin 2020, pas një investigimi të kryer nga 'Associated Press', mbi akuzat për abuzime seksuale, që përfshinin të paktën gjashtë zyrtarë të lartë të FBI-së.

Rishikimi zbuloi se 665 punonjës të FBI-së, përfshirë 45 zyrtarë të lartë, dhanë dorëheqjen ose dolën në pension mes viteve 2004 dhe 2020, pas një hetimi për abuzime sipas një letre që senatori Grassley i ka dërguar shefit të FBI-së Christopher Wray dhe Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland.

Nuk ishte e qartë se sa nga këto raste përfshinin abuzime seksuale. Zyra e zotit Grassley, e cila nuk pranoi të vinte në dispozicion dokumente për të mbrojtur identitetin e sinjalizuesit, tha se kjo gjë duhej ende të vlerësohej, por shtoi se numri mund të ishte në "qindra".

“Në zyrën time është pretenduar se të dhënat përfshinin një element të abuzimit seksual, që përputhet me qëllimin e procesit të shqyrtimit që u bë për shkak të artikullit të Associated Press”, shkruante zoti Grassley në letrën e tij që u publikua fillimisht nga AP. "Komisioni mirëpret çdo sqarim nga Departamenti i Drejtësisë që mund të qartësojë këtë çështje".

FBI-ja tha se synonte t'i përgjigjej së pari komisionit mbikëqyrës. Agjencia nuk pranoi të komentonte në mënyrë specifike mbi pretendimet e sinjalizuesit apo të ofronte të dhëna mbi masat disiplinore dhe se sa prej tyre përfshinin abuzime seksuale.

FBI-ja lëshoi një deklaratë duke thënë se agjencia zbaton një politikë të tolerancës zero ndaj ngacmimit seksual. “FBI-ja e sheh veten në mënyrë kritike dhe do të vazhdojë të bëjë përmirësime. Përfundimi është se punonjësit që bëjnë shkelje dhe abuzime seksuale nuk kanë vend në FBI”, thuhej në deklaratë.

Hetimi i AP-së në dhjetor të vitit 2020 identifikoi të paktën gjashtë raste abuzimi seksual që përfshinin zyrtarë të lartë të FBI-së gjatë pesë viteve pararendëse, duke filluar nga prekja e padëshiruar tek detyrimi (i viktimës)./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat