SHBA, sanksione ndaj fondacionit iranian që vuri shpërblim për të vrarë shkrimtarin Salman Rushdie

Amerika

SHBA, sanksione ndaj fondacionit iranian që vuri shpërblim për të vrarë shkrimtarin Salman Rushdie

Më: 29 tetor 2022 Në ora: 09:22
Pamje nga vendi i ngjarjes

Shtetet e Bashkuara vunë të premten sanksione ndaj një fondacioni iranian të akuzuar se kishte vënë një shpërblim prej disa milionë dollarësh në këmbim të vrasjes së shkrimtarit Salman Rushdie, i cili u sulmua gjatë një eventi në gusht të këtij viti.

Departamenti i Thesarit tha përmes një deklarate se ka përcaktuar Fondacionin iranian “15 Khordad” si entitet terrorist botëror, nën akuzën se ka vënë shpërblim për vrasjen e zotit Rushdie pas dekretit fetar të viti 1989 të ish udhëheqësit të Iranit Ayatollah Ruhollah Khomeini, ku bëhej thirrje për vdekjen e zotit Rushdie. Në vitin 2012, fondacioni e rriti shpërblimin për vrasjen e shkrimtarit në 3.3 milionë dollarë.

Zoti Rushdie, 75 vjeç, humbi shikimin në njërin sy dhe aftësitë për të përdorur njërën dorë pasi u sulmua me thikë, në skenë, nga një 24 vjeçar, para se të fliste në institutin “Chautauqua” në Nju Jork. Ngjarja ndodhi në gusht. Policia ka refuzuar të përgjigjet nëse autori i “Vargjeve Satanike” ndodhet ende në spital.

Nga sulmi shkrimtari mori plagë në mëlçi, tha aso kohe Andrew Wylie, që përfaqëson gjigandë të letërsisë si Saul Bellow dhe Roberto Bolano.

24 vjeçari nga Nju Xhersi i akuzuar për sulmin nuk ka pranuar akuzat për tentativë vrasje dhe sulm. Ai po mbahet pa garanci në një burg në perëndim të Nju Jorkut.

"Ky akt dhune, i cili është vlerësuar nga regjimi iranian, është i tmerrshëm. Ne të gjithë shpresojmë për rimëkëmbjen e shpejtë të Salman Rushdie pas sulmit ndaj tij," tha në deklaratë Nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare Brajan Nelson.

Akti i Departamentit të Thesarit ngrin çdo pasuri që i përket fondacionit në SHBA dhe në përgjithësi i ndalon amerikanët të bashkëpunojnë me të. Ata që ndërmarrin transaksione të caktuara me fondacionin rrezikojnë gjithashtu sanksione.

Ayatollah Ruhollah Khomeini asokohe udhëheqësit i Iranit, lëshoi 33 vjet më parë një dekret fetar ku i bënte thirrje myslimanëve të vrisnin zotin Rushdie pak muaj pas publikimit të romanin e tij të katërt, “Vargjet Satanike”, për të cilin disa myslimanë thanë se përmbante pjesë blasfemuese.

Zoti Rushdie, i cili ka lindur në Indi, në një familje myslimane në Kashmir, i është dashur të jetojë për dekada në rrezik për jetën, për shkak të shpërblimit për kokën e tij. Ai jetoi duke u fshehur për nëntë vjet nën mbrojtjen e policisë britanike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat