Trump përballë problemeve ligjore teksa synon Shtëpinë e Bardhë

Amerika

Trump përballë problemeve ligjore teksa synon Shtëpinë e Bardhë

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 16:51
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Fotografi ilustruese.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili të martën shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale në vitin 2024, përballet me shumë hetime dhe padi.

Ja disa nga betejat e tij ligjore:

Marrja e dokumenteve qeveritare

Departamenti amerikan i Drejtësisë po kryen një hetim penal ndaj Trumpit për mbajtjen e të dhënave qeveritare, përfshirë dokumente të cilat janë të klasifikuara, pas largimit nga detyra në janar të vitit 2021.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka sekuestruar 11. 000 dokumente nga rezidenca e tij në Florida, në një kontroll të miratuar nga gjykata më 8 gusht.

Rreth 100 dokumente u etiketuan si të klasifikuara dhe 25 si ‘top sekret’, niveli më i lartë i klasifikimit.

Trump mohon çdo keqbërje dhe thotë se ky hetim është një “gjueti shtrigash”.

Gjyqtari federal, Raymond Dearie, është emëruar si zyrtar i posaçëm për të rishikuar dokumentet që ka konfiskuar FBI-ja, për të përcaktuar nëse ndonjë prej tyre mbrohet nga privilegji ekzekutiv, siç ka pretenduar Trump.

Privilegji ekzekutiv është një doktrinë ligjore, sipas së cilës një president mund të mbajë sekret dokumente ose informacione të caktuara.

Padia civile për mashtrim

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, tha në një padi civile të paraqitur në shtator se zyra e saj zbuloi më shumë se 200 shembuj mashtrimi nga ish-presidenti dhe në biznesin e tij, midis viteve 2011 dhe 2021.

Trump dhe Organizata Trump akuzohen se nuk kanë deklaruar siç duhet vlerën e pasurive të paluajtshme, në mënyrë që bankat t’u jepnin hua me kushte më të favorshme.

Një gjykatës i Nju Jorkut urdhëroi që të caktohet monitorim i pavarur për të mbikëqyrur Organizatën Trump, përpara se çështja të shkojë në gjyq.

Përveç Donald Trumpit, James tha se edhe tre fëmijët e tij - Donald Trump Jr, Ivanka dhe Eric – dyshohet se janë bashkëfajtorë në aktet e mashtrimit.

James po kërkon që t’ia ndalojë përgjithmonë ish-presidentit dhe fëmijëve të tij, që të mbajnë pozita udhëheqëse në çdo biznes në këtë shtet dhe t'i pengojë ata të blejnë prona dhe të marrin kredi të reja në Nju Jork për pesë vjet.

Prokuroria e Përgjithshme tha se James po synon që të rikuperojë rreth 250 milionë dollarë, që sipas prokurores, janë fituar si rezultat i mashtrimit.

Trump e ka quajtur padinë e saj si “gjueti shtrigash” dhe një avokat i tij i ka quajtur të pabaza pretendimet e Jamesit.

Kompania e Trumpit akuzohet për mashtrim tatimor

Organizata Trump është në gjyq nën akuzat për mashtrim tatimor në Nju Jork, në një çështje penale të ngritur nga prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg.

Kompania është një entitet biznesi që përfshin qindra firma dhe partneritete, të cilat zotërojnë ose administrojnë godina zyrash, hotele, kulla banimi, klube golfi, të drejta markash, marrëveshje licencimi dhe asete të tjera në të gjithë botën.

Kompania u deklarua e pafajshme, por ajo mund të përballet me gjobë deri në 1.6 milion dollarë.

Trump nuk akuzohet në këtë çështje.

Allen Weisselberg, një nga punonjësit më besnikë dhe më jetëgjatë të Trumpit, ish-shefi financiar i kompanisë, është deklaruar fajtor dhe kërkohet të dëshmojë kundër Organizatës Trump - si pjesë e marrëveshjes së tij për pranimin e fajësisë. Ai është gjithashtu i pandehur në padinë civile të Jamesit.

Rasti i shpifjes

E. Jean Carroll, një ish-punonjëse e revistës Elle, e paditi Trumpin për shpifje në vitin 2019, pasi ai mohoi pretendimin e saj se e kishte përdhunuar në vitet 1990 në një dyqan të madh të Nju Jorkut. Trump tha se Carroll gënjeu për të nxitur shitjen për librin e saj.

Trump ka argumentuar se ai është i mbrojtur nga padia e Carrollit nga një ligj federal që u jep imunitet punonjësve të Qeverisë nga pretendimet për shpifje.

Gjykata e Apelit me bazë në Manhatan tha në shtator se Trumpi ishte një punonjës federal kur e quajti Carrollin gënjeshtare, por la të hapur pyetjen nëse ai po vepronte si president kur e bëri deklaratën.

Një gjykatë apeli në Uashington do ta shqyrtojë këtë pyetje në argumente verbale më 10 janar 2023.

Carroll, gjithashtu, ka në plan të padisë Trumpin për shkaktim të qëllimshëm të shqetësimit emocional, sipas ligjit të shtetit të Nju Jorkut, edhe nëse padia për shpifje hidhet poshtë.

Sulmi ndaj Kongresit

Një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e dhunshëm ndaj Kongresit amerikan më 6 janar 2021 nga ana e mbështetësve të ish-presidentit, po heton nëse ai e ka shkelur ligjin me veprimet e tij e në përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Rebelët kërkuan të bllokonin Kongresin nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Në tetor, Trump u thirr për të dëshmuar nën betim dhe për të ofruar dokumente.

Nënkryetarja e komitetit, Liz Cheney, republikane, ka thënë se komiteti mund t'i referohet Departamentit të Drejtësisë për të kërkuar akuza penale kundër Trumpit.

Vetëm Departamenti i Drejtësisë mund të vendosë nëse do ta akuzojë Trumpin për krime federale. Paneli pritet të nxjerrë gjetjet me shkrim në javët e ardhshme.

Trump e ka quajtur hetimin e panelit një mashtrim të motivuar politikisht.

Hetimi për zgjedhjet në Xhorxhia

Një juri e posaçme u formua në maj për hetimin e zgjedhjeve në Xhorxhia mbi përpjekjet e supozuara të Trumpit për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve të këtij shteti në vitin 2020.

Hetimi fokusohet pjesërisht në një telefonatë që Trumpi i bëri sekretarit të Shtetit në Xhorxhia, republikanit, Brad Raffensperger më 2 janar 2021. Trump i kërkoi atij që të "gjente" votat e nevojshme për të përmbysur humbjen e tij në ato zgjedhje.

Ekspertët ligjorë thanë se Trumpi mund të ketë shkelur të paktën tri ligje kriminale zgjedhore në Xhorxhia: konspiracion për të kryer mashtrime zgjedhore, kërkesë kriminale për të kryer mashtrime zgjedhore dhe ndërhyrje të qëllimshme në kryerjen e detyrave zgjedhore.

Në një padi të veçantë, një gjykatës federal i Kalifornisë, tha më 19 tetor se Trumpi bëri me vetëdije pretendime të rreme për mashtrim të votuesve në një proces gjyqësor zgjedhor atje./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat