Çfarë është komploti i rebelimit?

Amerika

Çfarë është komploti i rebelimit?

Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 23:52
Foto ilustrim

Shpallja fajtor, të martën, e udhëheqësit të grupit të djathtë paraushtarak Stewart Rhodes në lidhje me sulmet ndaj Kapitolit në 6 janar të vitit të shkuar shënon rastin e parë në më shumë se dy dekada që Departamenti i Drejtësisë arrin të sigurojë me sukses një dënim për komplot rebelimi.

Zoti Rhodes, themelues i grupit Oath Keeprs, grup paraushtarak anti-qeveritar i përbërë kryesisht nga veteranë të ushtrisë dhe ish- oficerë të organeve të zbatimit të ligjit, u shpall fajtor për komplot rebelimi, së bashku me Kelly Meggs, drejtues i degës në Florida të grupit Oath Keepers.

Tre anëtarë të tjerë të Oath Keeprs u shpallën jofajtorë për këtë akuzë, por u gjendën në shkelje të ligjit për akuza të tjera përfshirë pengimin e një procedimi zyrtar.

Të pestë rrezikojnë së paku 20 vjet burg.

Por çfarë është komploti i rebelimit dhe cila është domethënia e vendimit ?

Akuza për komplot rebelimi ka hyrë në fuqi pas Luftës Civile Amerikane 1861-1864 dhe përfshin dy elementë: komplotin dhe rebelizmin. Komploti konsiderohet rënia dakord mes dy apo më shumë njerëzve për të kryer një krim. Rebelizmi është kundërshtimi me forcë i pushtetit apo një autoriteti tjetër.

Ligji federal mbi bazën e të cilit u ngrit akuza ndaj grupit paraushatarak e përkufizon komplotin për rebelim si përpjekje "për të përmbysur, rrëzuar ose shkatërruar me forcë qeverinë e Shteteve të Bashkuara, për të nxitur luftë ndaj saj, ose për të kundërshtuar me forcë autoritetet”.

“Komploti i rebelimit bën pjesë në krimet që lidhen me përpjekjet për përmbysje të qeverisë, për të luftuar kundër Shteteve të Bashkuara, ose për kundërshtimin e paligjshëm të autoriteteve”, tha Jordan Strauss, një ish-prokuror federal që tani drejton qendrën e konsulencës për sigurinë, Kroll.

“Në kuptimin ligjor nuk është krimi i tradhëtisë i përcaktuar në Kushtetutë, por në aspektin e ashpërsisë së dënimit, është i ngjashëm”, tha zoti Strauss.

Të arrihet dënimi gjyqësor për akuzën “komplot rebelimi” nuk është e lehtë. Hera e fundit që u vendos një dënim i tillë ishte në 1995 kur sheiku Omar Abdel Rahman dhe 9 persona të tjerë dënuan për komplot rebelimi dhe akuza të tjera në lidhje me një komplot për të bombarduar Qendrën Botërore të Tregtisë në New York.

Përpjekja e fundit e qeverisë për të siguruar një dënim gjyqësor mbi bazën e kësaj akuze, dështoi. Në 2022, një gjyqtar rrëzoi akuzat për komplot rebelimi ndaj një anëtari të një grupi paraushtarak në Miçigan për komplot me qëllim vrasjen e një punonjësi policie. Gjyqtari vendosi se prokurorët nuk kishin arritur të provonin se “të pandehurit arritën një marrëveshje konkrete për të kundërshtuar me forcë qeverinë e Shteteve të Bashkuara".

Sulmi i 6 janarit hapi një debat të brendshëm të gjerë mes prokurorëve federalë nëse veprimet e grupeve të ekstremit të djathtë të akuzuar për komplotin e sulmit përbënin komplot rebelimi.

“Në fund, prokurorët përcaktuan se kishin prova të mjaftueshme për të akuzuar grupin për komplot rebelimi dhe juria ra dakord në lidhje me dy të pandehurit” tha zoti Strauss.

"Në fund të fundit, nëse shteti ka ligje, por ato nuk zbatohen atëherë njerëzit do të shtrojnë pyetjen se përse janë miratuar ato ligje" tha ai.

Cilat ishin provat që duhet të paraqisnin prokurorët për mbrojtjen e akuzave?

Zoti Rhodes u arrestua në Janar të vitit 2022 dhe u akuzua për komplot rebelimi së bashku me 10 anëtarë të tjerë të grupit Oath Keepers. Kjo akuzë ishte më e rënda që ishte ngritur ndaj të pandehurve të 6 janarit.

Për të provuar akuzën, prokurorët duhet të vërtetonin se zoti Rhodes dhe personat e tjerë bënë komplot me qëllim bllokimin e Kongresit për të penguar certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në 6 janar të vitit 2021.

“Pra, në thelb, ata duhet të provonin se kishte një marrëveshje mes dy apo më shumë njerëzve se do përpiqeshin me forcë të bllokonin Kongresin në 6 janar që të certifikonte zgjedhjet duke sulmuar Kapitolin”, tha Randall Eliason, ish prokuror federal, tanimë profesor i së drejtës në Universitetin e “George Washington”.

Megjithëse zoti Rhodes qëndroi jashtë Kapitolit gjatë sulmit, prokurorët provuan në gjykatë se ai nisi përgatitjet për sulmin menjeherë pas zgjedhjeve presidenciale duke nxitur ndjekësit e tij të udhëtonin në Uashington, të blinin armë e municione dhe të ngrinin një “forcë reagimi të shpejt” në rast nevoje.

Në vendimin që shpalli fajtor zotin Rhodes dhe zotin Meggs, juria vendosi se “drejtuesit e grupit që kreu veprime anti-ligjore ishin përgjegjës për marrëveshjen dhe planin, ndërsa tre personat e tjerë, ndoqën këtë plan”.

Cilat janë pasojat e këtij vendimi për të akuzuarit e tjerë për sulmin e 6 janarit?

Katër anëtarë të tjerë të grupit Oath Keepers të akuzuar për komplot rebelimi do të dalin në gjyq të hënën. Anëtarët e grupit të krahut të djathtë të quajtur Proud Boys, përfshirë ish-kryetarin e tyre Enrique Tarrio, gjithashtu do të dalin në gjyq me akuzën e komplotit për rebelim.

“Çdo rast varet nga provat e faktet e tij, por vendimi i fundit u rrit besimin prokurorëve”, tha zoti Eliason.

“Pala mbrojtëse tani ndjen se ka më pak shanse”, shtoi ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat