I dyshuari për vrasjen e 10 personave në SHBA gjendet i vetëvrarë

Amerika

I dyshuari për vrasjen e 10 personave në SHBA gjendet i vetëvrarë

Më: 23 janar 2023 Në ora: 10:39
Fotografi nga vendi i ngjarjes, ku u gjet i vetëvrarë personi që sulmoi klubin e vallëzimit në Los Anxhelos, SHBA, më 22 janar.

Policia e Kalifornisë ka identifikuar personin e armatosur e dyshuar për vrasjen e 10 personave në një studio vallëzimi pranë Los Anxhelosit.

Ai u gjet i vdekur në një furgon të bardhë. Ky person, me emrin Huu Can Tran, 72 vjeç, "kishte një plagë të vetëshkaktuar me armë zjarri", tha sherifi i qarkut, Robert Luna.

Dhjetë persona të tjerë u plagosën në të shtënat dhe shtatë prej tyre janë ende në spital - disa në gjendje kritike – thanë autoritetet e sigurisë në një konferencë shtypi të dielën pasdite në Montrei Park.

Policia tha se ende nuk e di motivin për vrasjen e shumfishtë gjatë festimeve të Vitit të Ri Hënor.

Ata thanë se 10 personat që u vranë janë ende duke u identifikuar, por dukej se ishin në moshën mes 50 dhe 60 vjeç, dhe disa ndoshta edhe më të vjetër. Më herët, zyrtarët thanë se pesë gratë dhe pesë burrat që u vranë ishin me origjinë aziatike.

Monteri Park gjendet 13 kilometra në lindje të Los Anxhelos. Ky qytet ka afër 60.000 banorë dhe është shtëpi e një komuniteti të madh aziatik.

Festivali vjetor për Vitin e Ri Hënor zgjat një javë dhe më herët ka mbledhur mbi 100.000 vizitorë.

Këto ishin të shtënat e pesta masive në SHBA gjatë këtij muaji, thuhet në të dhënat e databazës së Associated Press dhe USA Today, sa i përket vrasjeve masive në Shtetet e Bashkuara./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat