Ende i paqartë motivi i sulmit me armë në Kaliforni

Amerika

Ende i paqartë motivi i sulmit me armë në Kaliforni

Më: 23 janar 2023 Në ora: 15:39
Kalifornia

Në prag të Vitit të Ri kinez, një person i armatosur hapi zjarr në një klub vallëzimi në qytetin me shumicë banorësh aziatikë, Monterey Park të Kalifornisë.

Të paktën 10 persona humbën jetën, ndërsa 10 të tjerë u plagosën.

Zyrtarët thonë se një 72 vjeçar, i dyshuar për sulmin me armë, u gjet pa shenja jete të nesërmen. Ai dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri. Motivi i sulmit vazhdon të jetë i paqartë.

Sulmi ndodhi pak pas orës 10 të darkës, sipas kohës lokale, të shtunën më 21 janar, në prag të Vitit të Ri kinez, në klubin e vallëzimit “Star Ballroom Dance Studio” në Monterey Park të Kalifornisë, një qytet me shumicë aziatike.

“Pasi oficerët mbërritën në vendngjarje, ata panë shumë persona, klientë të klubit, që po dilnin duke bërtitur. Oficerët hynë në vendngjarje dhe gjetën viktima të tjera”, thotë Andrew Meyer, kapiten në Departamentin e Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit.

I dyshuari për sulmin, i identifikuar më vonë si 72 vjeçari Huu Can Tran, shkoi pastaj në një klub tjetër aty pranë, “Lai Lai Ballrom” në Alhambra, rreth 20 deri 30 minuta pas të sulmit të parë.

Atje, dy persona arritën ta çarmatosin sulmuesin, para se ai të shkaktonte më shumë viktima.

Zyrtarët thanë se i dyshuari Tran u largua nga klubi i dytë me një furgon të bardhë mallrash, i cili u pa mëngjesin tjetër në Torrance, një qytet rreth 50 kilometra në jugperëndim të Monterey Park.

“Ndërsa oficerët në Torrance po ndiqnin automjetin, furgoni i bardhë hyri në parkingun e një qendre tregtare. Pasi oficerët dolën nga automjeti i tyre i patrullës për të kontaktuar me ngasësin, ata dëgjuan një të shtënë brenda furgonit”, thotë Robert Luna, sherifi i qarkut të Los Anxhelosit.

Policia tha se i dyshuari për sulmin vrau veten. Brenda furgonit u gjetën dëshmi që e lidhin atë me sulmin në Monterey Park. Zyrtarët thonë se nuk ka të dyshuar tjerë për sulmin.

Sherifi Luna tha se arma e gjetur në Alhambra është një pistoletë gjysmë automatike, e cila ai beson se është e paligjshme në shtetin e Kalifornisë.

Një pistoletë tjetër u gjet në furgonin ku i dyshuari për sulmin kreu vetëvrasje.

Presidenti Joe Biden të dielën lëshoi një deklaratë në nderim të viktimave të sulmit, duke urdhëruar uljen në gjysmë-shtizë të flamujve në Shtëpinë e Bardhë dhe ndërtesa tjera federale deri të enjten.

Nënpresidentja Kamala Harris foli për tragjedinë në Monterey Park gjatë një aktiviteti në Tallahassee të Floridës.

“Të gjithë ne në këtë sallë dhe në gjithë vendin e kuptojmë: kjo dhunë duhet të ndalet. Presidenti Biden, unë dhe administrata jonë do të vazhdojmë të mbështesim autoritetet lokale në zbardhjen e rastit”, tha ajo.

Edhe kryebashkiaku i qarkut Monterey Park foli për ngjarjen tragjike.

“Ky është një komunitet shumë i larmishëm. Dje filloi festa jonë hënore. Departamenti ynë i policisë, i vetëdijshëm për këtë larmi, ka në radhët e tij personel të shumë gjuhëve dhe kulturave. Dua që komuniteti të jetë i sigurt se departamenti ynë i policisë do të vazhdojë çdo ditë të mbrojë sigurinë e të gjithë atyre që jetojnë në Monterey Park”, tha kryebashkiaku Henry Lo.

Sipas sherifit të qytetit duket se të gjitha viktimat e sulmit janë mbi 50 vjeç./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat