Kolorado Springs, ndër qytetet më të mira për emigrantët

Amerika

Kolorado Springs, ndër qytetet më të mira për emigrantët

Më: 23 janar 2023 Në ora: 20:05
Foto ilustrim

Instituti George W. Bush në Teksas ka renditur zonat metropolitane në të gjithë Amerikën ku emigrantët kanë gjetur mbështetje dhe po përparojnë. Ekipi i Zërit të Amerikës ishte në qytetin Kolorado Springs të shtetit Kolorado, një zonë me prirje konservatore, i cilësuar si një nga qytetet më të mira amerikane për emigrantët.

Karthick Radunath Palanimalai është konsulent për programet kompjuterike. Pasi mbërriti në Shtetet e Bashkuara me vizë pune L1, ai thotë se qyteti Kolorado Springs nuk e ndihmoi që të vendosej aty. Por ai gjeti mbështetje tek komuniteti indiano-amerikan në qytet.

Më ndihmuan të merrja me qira një apartament pranë vendit të punës dhe qendrës tregtare. Ata mu gjenden pranë gjatë tre muajve të parë”, tregon për Zërin e Amerikës zoti Palanimalai.

 

Jackie Jaramillo me organizatën “Centro de la Familia” thotë se të ardhurit si Palanimalai janë shpesh të padukshëm dhe të izoluar.

“Është shumë e vështirë. Ka shumë pengesa institucionale dhe kulturore. Sigurisht që ka racizëm. Shumë emigrantë, të cilëve u shërbejmë, janë viktima të krimit”.

Shumë njerëz u habitën nga vlerësimi i Institutit George W. Bush për qytetin Kolorado Springs, duke e renditur atë në vendin 21 nga 100 qytetet metropolitane më të mira në Shtetet e Bashkuara ku emigrantët përparojnë.

Qyteti Kolorado Springs njihet për Akademinë e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe majën “Pikes Peak”, 4302 metra mbi nivelin e detit. Qyteti ka një administratë konservatore dhe shumë prej republikanëve e kundërshtojnë hapur kalimin e paligjshëm të kufirit.

Nuk mendoj se kemi një tabelë që thotë - Qyteti Kolorado një vend i mirë për migrantët”.

Republikani John Suthers është kryebashkiak i qytetit Kolorado Springs dhe po shërben në mandatin e dytë. Në vitin 2022, Instituti Milken e renditi qytetin në vendin e nëntë për arritjet ekonomike mes qyteteve të mëdha amerikane, një magnet për emigrantët me aftësi të larta, të autorizuar për të punuar në Shtetet e Bashkuara.

“Kemi një bazë të madhe ushtarake dhe mbrojta përbën rreth 40% të ekonomisë së qytetit. Ka shumë vende pune në fusha si teknologjia e lartë, hapësira, apo siguria kibernetike. Shumë nga ata që po emigrojnë në përputhje me ligjet kanë ekspertizën e duhur. Përse të mos vinë në Kolorado Springs”, thotë për Zërin e Amerikës kryebashkiaku John Suthers.

Cullum Clark është autori i raportit të Institutit George W. Bush, "Emigrantët dhe mundësitë në qytetet e Amerikës". Ai thotë se renditja u bë në bazë të disa faktorëve.

A është një vend i mirë për të bërë biznes, për të filluar një kompani, për të bërë karrierë dhe përballuar blerjen e një shtëpie?”

Zoti Palanimalai është dakord. I sapomartuar, edhe gruaja e tij gjeti një punë në fushën e teknologjisë në qytetin Kolorado Springs. Tashmë në shtëpinë e tyre ata po shijojnë peisazhet e Maleve Shkëmbore, duke u angazhuar edhe me ekipet sportive lokale./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat