Memfis: Familja, aktivistët nderojnë Tyre Nichols, viktimën e dhunës policore

Amerika

Memfis: Familja, aktivistët nderojnë Tyre Nichols, viktimën e dhunës policore

Më: 1 shkurt 2023 Në ora: 19:15
Një ditë para funeralit, Nichols u kujtua dhe nderua nga familjarët e tij

Pesë oficerë policie janë shkarkuar nga puna dhe akuzuar për vrasje të shkallës së dytë pasi e kanë rrahur afrikano-amerikanin Tyre Nichols, më 7 janar i cili tre ditë më pas vdiq nga plagët e marra. Edhe oficerët vetë janë afrikano-amerikanë. Videoja e publikuar tregon se edhe njerëz të tjerë nuk i erdhën në ndihmë viktimës. Një ditë para funeralit, Nichols u kujtua dhe nderua nga familjarët e tij të cilët falenderuan aktivistët që po luftojnë për reformim të policisë amerikane. Në funeralin e viktimës që mbahet sot në Memfis pritet të marrë pjesë edhe nënpresidentja amerikane, Kamala Harris.

Krahas pesë oficerëve që tani janë akuzuar për vrasje të shkallës së dytë, dy oficerë të tjerë policie në Memfis janë disiplinuar dhe tre punonjës të urgjencës janë shkarkuar në lidhje me vdekjen e Tyre Nichols. Oficeri Preston Hemphill, i cili është i bardhë dhe një oficer tjetër, emri i të cilit nuk u bë i ditur, janë pezulluar, tha policia.

Aktivisti i njohur amerikan të të drejtave civile, Al Sharpton mori pjesë së bashku me familjarët në nderimet për zotin Nichols në kishën historike “Mason Temple of God in Christ” në Memfis, ku Martin Luther Kingu mbajti fjalimin e tij të fundit, një natë para se të vritej.

“Lëvizjet kërkojnë kohë. Kjo është arsyeja pse ka një ndryshim midis atyre që janë të famshëm dhe aktivistëve të vërtetë. Ka disa njerëz që janë aktivistë në ‘Facebook’. Ju keni aktivistë të vërtetë Këtu në Memfis dhe ne nuk do të ndalemi derisa ta realizojmë lëvizjen me sukses, pavarësisht se sa kohë do marrë kjo”, tha ai.

Në funeral pritet të marrë pjesë edhe nëndëspresidentja Kamala Harris, e cila sipas Shtëpisë së Bardhë është ftuar nga nëna dhe njerku i zotit Nichols, RowVaughn Wells dhe Rodney Wells.

“Do të flas shkurt: Vazhdoni të luftoni për drejtësi për djalin tonë dhe familjen time. Mbroni gruan time sepse ajo është shumë e brishtë tani. Sonte do të flasim shkurt sepse kemi një luftë të gjatë përpara nesh”, tha njerku i Tyre Nichols dhe më pas thirri, “drejtësi për Tyre!”.

Të pranishmit bënë gjithashtu thirrje për “drejtësi për Tyre-in”.

“Vëllai im ishte personi më paqësor që keni takuar ndonjëherë në jetën tuaj”, tha Jamal Dupree, vëllai i viktimës.

Gjashtë nga oficerët e përfshirë ishin pjesë e të ashtuquajturës njësia “Scorpion”, e cila synonte kriminelët e dhunshëm në zonat me krim të lartë. Edhe banorë të tjerë të Memfisit, të cilët thonë se janë “brutalizuar” nga oficerët e kësaj njësie, ashtu si zoti Nichols, do të mbajnë fjalim në Tempullin Mason gjatë funeralit.

Shefi i policisë Cerelyn Davis tha pas publikimit të videos se njësia tani është shpërbërë.

Vdekja e zotit Nichols ishte e fundit në një varg rastesh të mëparshme ku policia është akuzuar për përdorimin e forcës. Më vonë u konfirmua se rastet e mëparshme të dhunës nga policia, në disa raste kanë rezultuar edhe vdekjeprurëse./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat