Balona mbi qiellin amerikan që dyshohet të jetë kineze, alarmon Pentagonin

Amerika

Balona mbi qiellin amerikan që dyshohet të jetë kineze, alarmon Pentagonin

Më: 3 shkurt 2023 Në ora: 11:32
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po gjurmojnë një balonë që dyshohet të jetë kineze dhe të njëjtën janë duke e mbikqyrur pasi ajo po fluturon në lartësi të madhe mbi pjesën kontinentale të SHBA-së. Kështu deklaruan të enjten zyrtarët amerikanë të mbrojtjes. Zbulimi i kësaj balone rrezikon të shtojë tendosjen e  mëtejshme të marrëdhënieve tashmë të tensionuara SHBA-Kinë.

Zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali Patrick Ryder tha se qeveria amerikane e ka gjurmuar balonën për disa ditë me radhë. Ai shtoi se balona po fluturonte mbi pjesën veriore të Shteteve të Bashkuara.  Ryder shtoi se balona -"fluturonte në një lartësi shumë të madhe, madje edhe mbi pjesën e vijës së trafikut ajëror komercial dhe se e njëjta nuk paraqet kërcënim ushtarak apo fizik për njerëzit në tokë.”

Duke folur për detaje, një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se zyrtarë të lartë ushtarakë e kanë këshilluar presidentin Joe Biden të mos e rrëzonte atë balonë, për shkak të frikës se mbeturinat mund të përbënin një kërcënim sigurie për njerëzit në tokë.

“Ne kemi besim se kjo balonë vëzhgimi në lartësi të madhe i përket [Republikës Popullore të Kinës]”, tha zyrtari i lartë i mbrojtjes. “Raste të këtij aktiviteti janë vërejtur gjatë disa viteve të fundit, përfshirë edhe para kësaj administrate.”

Ndërsa vija aktuale e fluturimit të balonës kalon  mbi "një numër vendesh të ndjeshme", zyrtari tha se nuk paraqet rrezik të rëndësishëm për mbledhjen e informacione të inteligjencës.

Megjithatë,  zyrtari amerikan citohet nga CNN të ketë deklaruar se shteti amerikan- “gjithsesi po ndërmerr hapa kundër mbledhjes së informacioneve të ndjeshme nga inteligjenca e huaj”.

“Ne po gjurmojmë gjithashtu se çfarë aftësish mund të ketë për të marrë informacione dhe vazhdojmë ta monitorojmë balonën”.

Sipas një zyrtari tjetër të mbrojtjes, SHBA beson se satelitët kinezë të spiunazhit në orbitën e ulët të tokës janë në gjendje të mbledhin informacione të ngjashme ose edhe më shumë, duke e ulur vlerën e çdo gjëje që Pekini mund të nxjerrë nga kjo tullumbace në lartësi të madhe, me madhësinë e tre autobusëve.

Sipas zyrtarit, Qeveria amerikane është angazhuar me kontakte me qeverinë kineze si përmes ambasadës kineze në Uashington ashtu edhe misionit diplomatik amerikan në Kinë.

Zyrtarët e sigurisë kombëtare të SHBA-së kanë paralajmëruar vazhdimisht për përpjekjet kineze për spiunazh dhe prania e balonës në SHBA vjen në një moment të ndjeshëm kur Sekretari e Shtetit, Antony Blinken, pritet të udhëtojë në Pekin në ditët në vijim, një udhëtim i rëndësishëm që synon të ndjekë veprimet e Presidentit Joe Biden, pas takimit vitin e kaluar me presidentin kinez Xi Jinping.

Josh Lipsky, drejtor i lartë i Qendrës Gjeoekonomike të Këshillit Atlantik, tha se është e qartë se SHBA-ja dëshironte të ndërgjegjësonte Kinën se e di për balonën përpara se Blinken të vizitonte Kinën.

"Kjo e bën që takimi të jetë jashtëzakonshëm i tensionuar midis Blinken dhe ministrit të jashtëm kinez, Qin Gang," tha Lipsky.

Biden e ka shpallur Kinën “sfidën më të rëndësishme gjeopolitike të Amerikës” dhe konkurrenca mes dy superfuqive globale është intensive. Tensionet janë ndezur vitet e fundit mbi ishullin vetëqeverisës të Tajvanit, të dhënat e të drejtave të njeriut në Kinë dhe aktivitetet e saj ushtarake në Detin e Kinës Jugore, si edhe  një mori çështjesh të tjera.

Ministria e Jashtme e Kinës tha të premten se ishte në dijeni të raporteve për incidentin, por paralajmëroi kundër reagime ndaj "spekulimeve të qëllimshme".

“[Ne] po përpiqemi të kuptojmë rrethanat dhe të verifikojmë detajet e situatës. Unë do të doja të theksoja se përpara se të bëhet e qartë se çfarë ndodhi, çdo spekulim i qëllimshëm ose hipotezë nuk do të ndihmonte në trajtimin e çështjes”, tha zëdhënësi i ministrisë, Mao Ning, në një konferencë të rregullt shtypi, në përgjigje të pyetjes së CNN.

“Kina është një vend përgjegjës. Ne veprojmë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ne nuk kemi ndërmend të shkelim hapësirën ajrore të vendeve të tjera. Shpresojmë që palët përkatëse ta trajtojnë çështjen në mënyrë të ftohtë.”

Ndërkohë, Kanadaja tha të enjten në mbrëmje se po ndjek gjithashtu lëvizjet e balonës dhe po punon me partnerët e tyre amerikanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat