Gjendje e jashtëzakonshme pasi një stuhi ‘brutale’ goditi Kaliforninë

Amerika

Gjendje e jashtëzakonshme pasi një stuhi ‘brutale’ goditi Kaliforninë

Më: 2 mars 2023 Në ora: 17:48
Foto ilustrim

Miliona banorë të Kalifornisë janë nën një paralajmërim, me një gjendje të jashtëzakonshme të shpallur në mbi një duzinë qarqesh për t’u marrë me një varg stuhish brutale dimërore.

Kështu, ekipet e shpëtimit po punojnë gjatë gjithë orëve për të ndihmuar komunitetet në rajonet malore të ndërprera nga bora e thellë.

Një grua 80-vjeçare vdiq pasi veranda e saj u shemb nga sasia e madhe e borës, raporton CBS News.

Ndërkohë parku kombëtar popullor Yosemite i shtetit është mbyllur për një kohë të pacaktuar.

“Ekuipazhet e parkut po punojnë për të rivendosur shërbimet kritike në mënyrë që vizitorët të mund të kthehen të sigurt”, kanë thënë zyrtarët e parkut.

Të mërkurën mbrëma, guvernatori Gavin Newsom shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për 13 qarqe për të nxitur ritmin e reagimit dhe lehtësimit ndaj fatkeqësive.

“Shteti po kontrakton gjithashtu kompani private për të përshpejtuar heqjen e borës dhe pastrimin e rrugëve, dhe po koordinohet me ndërmarrjet në pronësi të investitorëve për të rikthyer me shpejtësi furnizimin me energji elektrike”, citohet të ketë thënë zyra e Newsom në një deklaratë.

Më shumë se 75,000 banorë dhe biznese në Kaliforni ishin pa energji që nga mëngjesi i së enjtes, sipas faqes “poweroutage.us”.

Në rajonin San Bernardino në lindje të Los Anxhelosit, heqja e borës gjatë gjithë kohës është duke u zhvilluar, por mund të duhet më shumë se një javë për të arritur në disa zona, tha Dawn Rowe, kryetar i bordit të mbikëqyrësve të qarkut, për Associated Press.

Disa zona janë duke u përballur me deri në 2 metra borë dhe autoritetet kanë kryer 17 operacione shpëtimi për të ndihmuar njerëzit.

Shumë banorë mbetën të bllokuar në shtëpitë e tyre në malet San Bernardino të mërkurën. Qarku ka krijuar një linjë telefonike për banorët që merren me çështje si tubacionet e ngrira, problemet e çatisë dhe mungesat e ushqimit.

Shërbimi Kombëtar i Motit parashikon lehtësim në ditët në vijim. Por temperaturat do të mbeten nën mesataren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat