Qindra imigrantë përpiqen të hyjnë me forcë nga Meksika në SHBA

Amerika

Qindra imigrantë përpiqen të hyjnë me forcë nga Meksika në SHBA

Më: 13 mars 2023 Në ora: 14:22
Forcat kufitare amerikane ndaluan qindra imigrantë

Forcat kufitare amerikane ndaluan qindra imigrantë, kryesisht nga Venezuela, në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën të dielën pasi një grup i madh i tyre kaloi kufirin për të kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara. Imigrantët u përpoqën të kalonin me forcë në anën amerikane të kufirit sepse, sipas tyre, procesi i dorëzimit të kërkesave për azil nga Meksika është tepër i vështirë. 

Të zemëruar nga problemet për të caktuar takim në zyrat amerikane të imigracionit përmes një aplikacioni të ri të qeverisë amerikane, imigrantët u mblodhën në qytetin kufitar meksikan Kuidad Huarez, por nuk arritën të kalonin në anën amerikane të pikës kufitare që lidh Meksikën me Shtetet e Bashkuara. 

“Ju lutem, duam përgjigje. Aplikacioni nuk po funksionon. Unë jam e vetme, ne jemi të vetëm këtu. Jemi përballur me hajdutë, mashtrues dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ne duam një të ardhme dhe ndihmë për familjet tona, asgjë tjetër”, thotë 18 vjeçarja Camila Cruz nga Venezuela. 

Një pjesë e madhe e imigrantëve që u përpoqën të kalonin kufirin janë me fëmijë të vegjël. 

“Ata përdorën spërkatës piperi kundër fëmijëtve Ne jemi këtu për një ardhme më të mirë. Ne nuk bëjmë asgjë. Po presim për një përgjigje. Kam pritur për një kohë të gjatë dhe nuk ka asnjë zgjidhje”, thotë Jesica Barrio, një imigrante nga Venezuela. 

Agjencia amerikane e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit dhe autoritet meksikane të imigracionit nuk iu përgjigjen menjëherë kërkesave për të bërë komente mbi ngjarjen në kufirin mes dy vendeve. 

Pas përballjes me policinë kufitare, turma e imigrantëve u tërhoq. Një pjesë e tyre u nisën drejt brigjeve të lumit Rio Grande, ku ata po monitorohen nga zyrtarë amerikanë të imigracionit. 

Shumë imigrantë kanë humbur durimin me procesin e azilit pasi administrata e Presidentit Biden krijoi aplikacionin e ri “CBP One”, i cili ka për qëllim të lehtësojë procesin e aplikimit për azil. 

Ata thonë se aplikacioni ka probleme për shkak të kërkesave të shumta të azilit, duke i lënë ata në një zonë të rrezikshme kufitare. 

Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se përmirësimet e fundit të aplikacionit do ta thjeshtojnë dhe shpejtojnë procesin e aplikimit për azil./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat