Florida, shteti me rritjen më të shpejtë të popullsisë në Amerikë

Amerika

Florida, shteti me rritjen më të shpejtë të popullsisë në Amerikë

Më: 18 mars 2023 Në ora: 16:45
Foto ilustrim

Si asnjëherë më parë, Florida po përballet me një numër të madh të banorëve që shpërngulen për të jetuar në këtë shtet. Sipas Byrosë amerikane të Regjistrimit, Florida është bërë shteti me rritjen më të shpejtë të popullsisë në Amerikë, duke arritur në 22 milionë banorë.

Nëse i pyet njerëzit pse janë zhvendosur në Florida, pothuajse të gjithë kanë të njëjtën përgjigje.

Sepse e urrej të ftohtin. Të gjithë i duan rrezet e diellit dhe palmat”, thotë Kathy Bonini, e cila është zhvendosur nga Pensilvania.

Kemi mot me diell, ndaj ne themi që jemi ‘Shteti i Diellit’”, thotë Nancy Sikes-Kline, kryetare e Bashkisë St. Augustine, në Florida.

Prindërit e mi kanë lindur në Karaibe, ndaj janë mësuar me motin e ngrohtë. Ata u lodhën nga moti i ftohtë në Boston”, thotë Kevin Pierre.

Por nuk është vetëm moti i ngrohtë që e ka bërë këtë shtet kaq tërheqës. Ekonomisti Sean Snaith tregon se në Florida mund të gjesh një punë shumë shpejt. Dhe një tjetër fakt është se ndryshe nga shumica e shteteve amerikane, Florida nuk ka tatim mbi të ardhurat shtetërore.

“Në varësi të vendit nga po lëvizin njerëzit, kjo mund të jetë një shtesë prej 10% në pagën aktuale dhe që më parë shkonte për të paguar taksat shtetërore”, thotë Sean Snaith, Profesor i Ekonomisë në Universitetin “Centra”.

Sipas të dhënave nga Byroja amerikane e Regjistrimit më shumë se 700 mijë njerëz u shpërngulën në këtë shtet midis prillit të vitit 2020 dhe korrikut të vitit 2022, gjatë pandemisë COVID-19. Ishte koha kur shumë punonjës që vijonin punën në distancë mund të jetonin ku të dëshironin.

Të dhënat tregojnë se shumica e njerëzve që u zhvendosën në Florida ishin nga shhtete si Nju Jorku, Xhorxhia, Ohajo, Pensilvania dhe Kalifornia.

“Ishte koha për t’u larguar nga Kalifornia ndërsa zjarret dhe kostoja e lartë të jetesës u bënë të papërballushme. Këtu taksat janë më të ulëta dhe padyshim kostoja e jetesës është shumë tërheqëse, si dhe ke mundësi për rritje”, thotë Aaron Dan që u zhvendos në Florida gjatë pandemisë.

Këtu jeta është me e qetë. Në veri, të gjithë janë me nxitim gjatë gjithë kohës”, thotë Kathy Bonini, e zhvendosur në Florida nga Pensilvania.

Ka dhe nga ata që shkojnë në Flordia nga jashtë kufijve të Shteteve të Bashkuara.

“Kemi pasur shumë migrime ndërkombëtare në shtet nga disa vende. Nuk janë vetëm një apo dy vende, është Amerika Qendrore dhe Amerika e Jugut, Karaibet”.

Sharon Wooten, është një agjente e pasurive të paluajtshme e cila ka lindur dhe është rritur në Florida. Me kalimin e viteve ajo ka parë që të priten pemët e portokalleve për t’i lënë vendin ndërtimeve të shtëpive.

Ka ndryshuar shumë. Toka bujqësore është zhdukur”, thotë ajo.

Zonja Wooten thotë se ajo është pro ndryshimeve, por të bëhen sipas rregullave.

“Mendoj se nëse kujdesemi për burimet tona natyrore dhe nuk zhvillohemi shumë shpejt, është në rregull. Duhet të mendojmë për ato që do të vijnë. Planet e mira të zhvillimit sjellin mundësi për njerëzit”, thotë ajo.

Ekonomisti Snaith shikon anën pozitive të rritjes së popullsisë.

Çdo familje e re që zhvendoset në Florida ka nevojë për një vend për të jetuar. Ata kanë nevojë për të gjitha gjërat që I duhen një konsumatori . Pra, e dini, rritja e popullsisë është njëra anë e medaljes. Ana tjetër është rritja ekonomike”, thotë ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat