Uashingtoni hedh poshtë akuzat e Moskës për përfshirje në sulmin me dron ndaj Kremlit

Amerika

Uashingtoni hedh poshtë akuzat e Moskës për përfshirje në sulmin me dron ndaj Kremlit

Më: 5 maj 2023 Në ora: 16:06
John Kirby

Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë pretendimet e Moskës se Uashingtoni ka qenë i përfshirë në sulmin e së mërkurës me dron ndaj Kremlinit. Rusia thotë se sulmi u urdhërua nga Shtetet e Bashkuara dhe u ekzekutua nga Ukraina, por nuk ka ofruar asnjë provë mbi këto akuza. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby, i konsideroi qëndrimet e Rusisë, thjesht gënjeshtra.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se po heton rreth sulmit të dyshuar me dron ndaj Kremlinit të mërkurën vonë në mbrëmje. Rusia pretendon se sulmi ishte një përpjekje e dështuar e Ukrainës për të vrarë Presidentin rus Vladimir Putin.

"Ajo çka mund t'u them me siguri është se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë mënyrë në këtë incident, ndryshe nga gënjeshtrat që thotë zoti Peskov. Ato që ai thotë janë thjesht gënjeshtra”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby.

Më herët gjatë ditës së enjte, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov fajësoi Kievin dhe Uashingtonin lidhur me sulmin, pa dhënë asnjë provë mbi përfshirjen e tyre.

"Këto përpjekje si nga Kievi ashtu edhe nga Uashingtoni për ta mohuar këtë janë tërësisht qesharake. Ne e dimë shumë mirë se vendimet për veprime të tilla, për sulme të tilla terroriste, nuk merren në Kiev, por në Uashington. Dhe Kievi bën atë që i është thënë të bëjë”, tha ai.

Po të enjten në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje për një hetim për krime lufte, ndaj Presidentit Putin. Lidhur me sulmin ndaj Kremlinit ai tha të mërkurën se Ukraina ishte shumë e zënë duke u mbrojtur nga sulmet ruse, për ta bërë një gjë të tillë.

"Ne nuk sulmojmë Putinin apo Moskën, ne luftojmë në territorin tone. Ne po mbrojmë fshatrat dhe qytetet tona dhe ju e dini që ne nuk kemi armë të mjaftueshme për ta bërë këtë", tha ai.

Në Bruksel, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell lëshoi një paralajmërim për Moskën.

"I bëjmë thirrje Rusisë që të mos e përdorë këtë sulm të dyshuar, si justifikim për një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës. Dhe kjo është diçka që na shqetëson", tha ai.

Një zëdhënëse e ministrisë së Jashtme kineze bëri thirrje që të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzonte më tej situatën.

I pyetur lidhur me ofertën e Pekinit për të shërbyer si ndërmjetës për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e çdo vendi, për arritjen e një paqejeje të drejtë e të qëndrueshme. Por zoti Blinken tha se për të mbërritur deri aty, duhet të merren parasysh disa gjëra.

Së pari, duhet kuptuar qartë se në këtë rast, ka një viktimë dhe një agresor. Nuk mund të ketë një ekuivalencë morale mes të dyjave. Më duhet të them se deri vonë, ishte shumë e paqartë nëse Kina e pranonte ose jo këtë parim bazë. Dhe ende nuk jam i sigurt nëse po. Por tashmë të paktën, Presidenti Xi ka zhvilluar një bisedë me Presidentin Zelenskyy”, tha sekretari i shtetit.

Deri më tani, Kina nuk i ka bërë thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj nga Ukraina./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat