Kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes kërcënon ta akuzojë drejtorin e FBI-së për mospërfillje ndaj Kongresit

Amerika

Kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes kërcënon ta akuzojë drejtorin e FBI-së për mospërfillje ndaj Kongresit

Më: 6 qershor 2023 Në ora: 00:18
Christopher Wray

Kreu republikan i një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve tha se do të kërkojë mbajtjen përgjegjës të drejtorit të FBI-së Christopher Wray për mospërfillje ndaj Kongresit, për siç tha ai, se kishte dështuar t’i dorëzonte komisionit dokumenta lidhur me çështjet e biznesit të familjes së Presidentit Joe Biden.

“Tani do të fillojmë procedurat për mosrespektim të kërkesës së Kongresit”, tha përmes një deklarate të shkruar në rrjetin Twitter ligjvënësi James Comer, kryetar i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve.

Republikani Comer tha se ai po ndërmerrte veprimin pas një takimi me zyrtarët e FBI-së.

“Në takimin informues, FBI-ja përsëri refuzoi t’i dorëzonte dokumentin jo-sekret Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve”, tha zoti Comer. Ai nuk ka dhënë më shumë detaje lidhur me dokumentin në fjalë.

Përmes një deklarate dërguar agjencisë së lajmeve Reuters, FBI-ja shprehet se ishte përpjekur të plotësonte kërkesën e komisionit, përfshirë ofrimin e leximit të dokumentit në një dhomë të posaçme në Kongres.

“Kjo lloj procedure ofrohet shpesh në përgjigje të kërkesave nga Kongresi dhe në procedurat gjyqësore për të mbrojtur gjëra të rëndësishme, si siguria fizike e burimeve dhe integriteti i hetimeve”, thuhet në deklaratën e FBI-së. Byroja Federale e Hetimeve thotë se përshkallëzimi i situatës në këto rrethana është i pajistifikuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat