Ndahet nga jeta në moshën 96 vjeçare, ish-zonja e parë e ShBA-së, Rosalynn Carter

Amerika

Ndahet nga jeta në moshën 96 vjeçare, ish-zonja e parë e ShBA-së, Rosalynn Carter

Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 22:53
Rosalynn Carter

Ish-zonja e parë e ShBA-së, Rosalynn Carter, gruaja e ish-presidentit Jimmy Carter, ka vdekur në moshën 96-vjeçare. Qendra Carter dha lajmin duke thënë se ajo vdiq në paqe me familjen pranë saj. Qendra njoftoi të premten se ish-zonja e parë kishte hyrë në kujdesin intensiv. Ajo u diagnostikua me demencë, në maj.

Carter ishte e martuar për 77 vjet me Jimmy Carter, presidentin e 39- të të Shteteve të Bashkuara dhe fituesin e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2002, i cili tani është 99 vjeç. “Rosalynn ishte partnerja ime e barabartë në gjithçka që kam arritur ndonjëherë”, tha në një deklaratë bashkëshorti i saj, ish-presidenti Jimmy Carter.

“Ajo më dha udhëzime dhe inkurajim të mençur kur kisha nevojë. Për sa kohë që Rosalynn ishte në botë, unë gjithmonë e dija që dikush më donte dhe më mbështeste”, njoftoi qendra Carter. Rosalynn shërbeu si zonja e parë e vendit gjatë mandatit të vetëm të burrit të saj si president i ShBA-së, nga viti 1977 deri në 1981.

Ish-zonja e parë luajti një rol të madh në Shtëpinë e Bardhë, duke shërbyer si e dërguar jashtë vendit dhe si zëvendësuese politike e bashkëshortit të saj. Në vitin 1982, Jimmy dhe Rosalynn Carter themeluan The Carter Center, një organizatë jofitimprurëse e përkushtuar për avancimin e të drejtave të njeriut, menjëherë pasi Jimmy Carter humbi zgjedhjet ndaj Ronald Reagan.

Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, çifti udhëtoi në pika të nxehta në mbarë botën, duke përfshirë vizitat në Kubë, Sudan dhe Korenë e Veriut. Jimmy Carter fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2002.

Në vitin 1999, presidenti i atëhershëm Bill Clinton iu dhuroi të dyve Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimi më i lartë civil i vendit. Ai tha se ata kishin “bërë më shumë gjëra të mira për më shumë njerëz në më shumë vende se çdo çift tjetër në Tokë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat