​23 të vdekur nga rrëshqitja e dheut në Kolumbi

Amerika

​23 të vdekur nga rrëshqitja e dheut në Kolumbi

Më: 13 janar 2024 Në ora: 18:47
Foto nga vendi i ngjarjes

Të paktën 23 persona kanë humbur jetën dhe rreth 30 të tjerë janë lënduar nga rrëshqitja e dheut në Kolumbinë veriperëndimore, thonë autoritetet lokale.

Rruga që lidh qytetet Medellín dhe Quibdo ishte mbyllur nga disa rrëshqitje dheu, kështu që shumë njerëz ndaluan makinat e tyre për t'u strehuar në një shtëpi pranë komunitetit të Carmen de Atrato, tha një zyrtar lokal.

Një tjetër rrëshqitje dheu ka përfshirë më pas rrugën, duke i groposur ata dhe disa nga automjetet.

Kryebashkiaku lokal tha se disa njerëz ishin ende të bllokuar nga mbeturinat.

Zona në provincën Choco, në kufi me Oqeanin Paqësor, është shumë e pyllëzuar dhe është goditur nga reshje të konsiderueshme shiu në 24 orët e fundit.

Imazhet në mediat sociale dhe kanalet televizive treguan makina të shkatërruara dhe pjesërisht të varrosura nga balta dhe gurët e rënë.

Në një postim në rrjetet sociale, zëvendëspresidentja e Kolumbisë Francia Marquez tha se rreth 30 persona ishin lënduar.

Kryebashkiaku i Carmen de Atrato, Jaime Herrera, i tha një stacioni televiziv lokal se njerëzit u lënduan rëndë ndërsa të tjerët ishin ende të bllokuar nën rrëshqitje të dheut, pa thënë saktësisht se sa.

Ndërsa Kolumbia aktualisht po kalon një periudhë thatësire, Instituti i Hidrologjisë, Meteorologjisë dhe Studimeve Mjedisore ka paralajmëruar më parë mbi rrezikun që sjellin shirat e dendur në zonat në kufi me Paqësorin dhe pyjet tropikale të Amazonës. /BBC

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat