Tronditje në Evropë nga komentet e ish Presidentit Trump për NATO-n

Amerika

Tronditje në Evropë nga komentet e ish Presidentit Trump për NATO-n

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 17:40
Donald Trump

Komentet e fundit të ish Presidentit Donald Trump për aleancën perëndimore shkaktuan valë tronditëse nëpër kryeqytetet evropiane dhe një qortim të rrallë nga shefi i NATO-s. Zoti Trump tha se nëse do t’i fitonte zgjedhjet presidenciale, ai do ta ftonte Rusinë të sulmonte vendet aleate që nuk kanë paguar detyrimet financiare ndaj NATO-s.

Gjatë një tubimi të shtunën në Karolinën e Jugut, kandidati kryesor republikan për president, Donald Trump, doli nga tema e fjalimit të tij të parapërgatitur, për të theksuar pikëpamjet e tij ndaj vendeve evropiane, që siç tha ai po përfitojnë nga Shtetet e Bashkuara dhe nuk po paguajnë detyrimet që u takojnë për sigurinë.

“Gjatë një takimi u thashë se duhet të paguani detyrimet për NATO-n. Presidenti i një vendi të madh më pyeti se, nëse nuk paguajmë detyrimet dhe sulmohemi nga Rusia, a do të na mbrosh. I thashë, nuk i keni pagur detyrimet? Ai tha jo. I thashë se nuk do t’ju mbroj. Në fakt, unë do t’i inkurajoja ata (Rusinë) të bënte çfarë të donte. Duhet të përmbushni detyrimet”, tha zoti Trump.

Simpatia e dukshme e zotit Trump për presidentin rus Vladimir Putin dhe mosbesimi ndaj aleatëve të NATO-s nuk është diçka e re. Por komenti që Moska mund të sulmojë anëtarët e aleancës që nuk i kanë paguar detyrimet, shkaktoi reagime të ashpra në Evropë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha përmes një deklarate të dielën se çdo sugjerim se aleatët e NATO-s nuk do të mbronin njëri-tjetrin “dëmton të gjithë sigurinë tonë, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara, dhe shton rrezikun ndaj ushtarëve evropianë dhe amerikanë”.

Por pretendimet e zotit Trump për vendet e aleancës perëndimore nuk janë krejt të sakta. Në vitin 2014, vendet anëtare u zotuan të shpenzojnë për mbrojtjen 2% të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2024. Sipas vlerësimeve të NATO-s, në fillim të vitit 2023, 10 nga 30 vendet anëtare ishin pranë plotësimit të objektivit.

Eksperti Michael Kimmage thotë për Zërin e Amerikës se zoti Trump i ka kërkuar Dhomës së Përfaqësuesve, të udhëhequr nga republikanët, që të mos ofrojë më ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën, e cila po lufton kundër agresionit të Rusisë.

“Tashmë politika amerikane po ndryshon në një farë mase si rezultat i kandidatit Trump, i cili drejton Partinë Republikane. Por komentet e tij janë si të thuash qershia mbi tortë. Në varësi të zgjedhjeve, sugjerojnë ata, Evropa do të mbetet e vetme përballë Rusisë, dhe Evropa mund të jetë dukshëm më e vetme në luftën në Ukrainë”, thotë Michael Kimmage, nga Universiteti Katolik i Amerikës.

Ekspertja Lindsay Newman, me Grupin Eurasia, tha për Zërin e Amerikës se Kongresi ka hartuar politika për mbrojtjen e NATO-s, e cila ka garantuar sigurinë e Evropës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

“Në vitin 2023, si pjesë e Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, Kongresi miratoi një kërkesë që presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga NATO-ja pa miratimin e Kongresit”.

Ekspertë të tjerë thonë se një president i ardhshëm do të kishte mënyra të tjera për ta dobësuar NATO-n, pa një tërheqje zyrtare. Mund të ishte tërheqja e trupave amerikane nga Gjermania, ose ngritja e dyshimeve për të përmbushur angazhimin për mbrojtjen reciproke të vendeve të NATO-s.

Në bazë të Nenit 5, aleanca e NATO-s angazhohet të ndihmojë çdo vend anëtar që sulmohet. Shtetet e Bashkuara aktivizuan për herë të parë atë që njihet si Neni 5 në vitin 2001, pas sulmeve të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat