SHBA konfirmon rastin e parë të gripit të shpendëve te njeriu pa asnjë ekspozim të njohur ndaj kafshëve të infektuara

Amerika

SHBA konfirmon rastin e parë të gripit të shpendëve te njeriu pa asnjë ekspozim të njohur ndaj kafshëve të infektuara

Më: 7 shtator 2024 Në ora: 17:33
Foto ilustrim

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë kanë konfirmuar një rast njerëzor të gripit të shpendëve në një pacient që nuk ishte ekspozuar ndaj kafshëve.

Pacienti, në shtetin e Misurit, u trajtua në spital dhe që atëherë është rikuperuar, njoftoi Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Është rasti i 14-të njerëzor i gripit të shpendëve në SHBA në vitin 2024 dhe i pari pa një ekspozim të njohur ndaj kafshëve të infektuara, sipas CDC.

Agjencia tha se, bazuar në të dhënat e tyre aktuale, rreziku për publikun e gjerë mbetet i ulët.

Bëhet e ditur se gripi i shpendëve është një sëmundje virale që prek kryesisht zogjtë dhe kafshët e tjera. Infeksionet njerëzore janë të rralla, shkruan BBC.

“Rastet e mëparshme në SHBA janë gjurmuar pas ekspozimit ndaj shpendëve ose bagëtive të infektuara, por pacienti nga Misuri shënon rastin e parë të H5 pa një ekspozim të njohur profesional ndaj kafshëve të sëmura ose të infektuara”, tha CDC në një deklaratë.

Rasti i Misurit u zbulua përmes mbikëqyrjes rutinë të sezonit të gripit.

Pacienti kishte sëmundje themelore dhe mori medikamente antivirale kundër gripit.

Gripi i shpendëve ka qenë në rritje në SHBA këtë vit. Një shpërthim u raportua për herë të parë në mars dhe bagëtitë në 14 shtete ishin prekur që nga 3 shtatori, sipas CDC.

Ndërsa shpërthimet e gripit të shpendëve nuk janë raportuar në bagëtitë e Misurit, ai është raportuar në shpendë këtë vit dhe në shpendët e egër në të kaluarën, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Zyrtarët shëndetësorë amerikanë zbuluan një rast njerëzor të gripit të shpendëve në mars të vitit 2024, i cili u identifikua pas një ekspozimi ndaj lopëve qumështore që ishin potencialisht të infektuara.

Ndryshe, gripi i shpendëve u zbulua për herë të parë në Kinë në vitet 1990 dhe që atëherë është përhapur në çdo kontinent, përfshirë Antarktidën.

Zyrtarët botërorë të shëndetësisë besojnë se rreziku aktual për njerëzit është i ulët, por e kanë monitoruar në mënyrë aktive sëmundjen prej vitesh.

Sëmundja ka prekur jetën e egër në mbarë botën, duke infektuar specie të ndryshme si luanët e detit, fokat dhe arinjtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat