SHBA i jep Egjiptit 1.3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake

Amerika

SHBA i jep Egjiptit 1.3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake

Më: 11 shtator 2024 Në ora: 20:53
Foto ilustrim

Administrata e Presidentit Biden njoftoi të mërkurën Kongresin se Shtetet e Bashkuara do t'i japin Egjiptit 1.3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. Kjo është hera e parë që nga viti 2020, që Egjipti do të marrë shumën totale të ndihmës së përvitshme nga Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se Kajro nuk i ka përmbushur kushtet në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut.

Njoftimi vjen mes mbështetjes së Uashingtonit në zyrtarët e Egjiptit, një aleat i vjetër i Shteteve të Bashkuara, për ndërmjetësimin e bisedimeve mes Izraelit dhe Hamasit.

Nga 1.3 miliardë dollarë të ndihmës së përvitshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Egjiptin, 320 milionë dollarë janë bllokuar në vitet e fundit, sepse Kajro nuk i kishte përmbushur detyrimet për respektimin e të drejtave të njeriut.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken i tha Kongresit të mërkurën se ai do të hiqte dorë nga një kërkesë për certifikim e rreth 225 milionë dollarëve të lidhura me raportet mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Egjipt këtë vit, duke përmendur "interesin e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara", tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit përmes një mesazhi me email.

“Ky vendim është i rëndësishëm për avancimin e paqes rajonale dhe kontributeve specifike dhe të vazhdueshme të Egjiptit në përmbushjen e përparësive të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Rripin e Gazës, lirimin e pengjeve, rritjen e ndihmës humanitare për palestinezët në nevojë dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për konfliktin Izrael-Hamas”, tha zëdhënësi.

Sekretari Blinken bëri një përjashtim të ngjashëm edhe vitin e kaluar, por bllokoi një pjesë të ndihmës ushtarake për shkak se Egjipit nuk kishte bërë "përparim të qartë dhe të qëndrueshëm" në lirimin e të burgosurve politikë.

Këtë vit, Sekretari Blinken vendosi se Egjipti ka bërë përpjekje të mjaftueshme në çështjen e të burgosurve politikë, duke mundësuar zhbllokimin e 95 milionë dollarëve të lidhura me këtë çështje, tha zëdhënësi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat