SHBA thekson angazhimin për lirimin e amerikanëve të ndaluar jashtë vendit

Amerika

SHBA thekson angazhimin për lirimin e amerikanëve të ndaluar jashtë vendit

Më: 7 mars 2025 Në ora: 06:16
Adam Boehler, i dërguari special i Presidentit Donald Trump për pengjet

Departamenti Amerikan i Shtetit mbajti një ceremoni të ngritjes së flamurit të enjten për pengjet dhe të burgosurit që mbahen padrejtësisht në shtetet e tjera. Ceremonia riafirmon angazhimin e Uashingtonit për të siguruar kthimin e qytetarëve amerikanë dhe banorëve të përhershëm të ligjshëm të ndaluar jashtë vendit.

“Politikat tona janë 100% të përqendruara në kthimin e tyre në vend", tha Adam Boehler, i dërguari special i Presidentit Donald Trump për pengjet. “Gjatë ditëve në vazhdim do të ketë zhvillime”, tha ai pa dhënë detaje.

“Presidenti Trump është i përkushtuar për lirimin e të gjithë amerikanëve të mbajtur peng ose të ndaluar padrejtësisht jashtë shtetit. Këtu përfshihen amerikanët dhe të gjitha pengjet e tjera që ende mbahen nga Hamasi në Gazë”, tha për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

“Përpjekjet për t'i sjellë ata në shtëpi janë të vazhdueshme dhe të ndjeshme. Për momentin nuk kemi ndonjë njoftim për takime”, tha zëdhënësi.

Më 9 mars bëhen 18 vjet që kur ish-agjenti i FBI-së Robert Levinson u rrëmbye në Iran. Me këtë rast, me mbështetje dypartiake, Kongresi caktoi në mënyrë simbolike ‘Flamurin e Pengjeve dhe të Burgosurve Padrejtësisht’.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha të enjten se Uashingtoni është i vendosur që t’i çojë deri në fund përpjekjet për lirimin e pengjeve dhe të burgosurve padrejtësisht, si dhe të riatdhesojë eshtrat e atyre që nuk ka qenë e mundur të sillen në vend, përmes përpjekjeve diplomatike dhe të zbulimit.

Një ditë më parë, Presidenti Trump priti në Shtëpinë e Bardhë tetë ish-pengje të mbajtura nga grupi terrorist Hamas. Të mërkurën, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se zyrtarët amerikanë janë angazhuar në diskutime të vazhdueshme me Hamasin. Bisedimet e mbajtura në Katar shënojnë angazhimin e parë të drejtpërdrejtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Hamasit që kur Departamenti i Shtetit e caktoi grupin si organizatë të huaj terroriste në vitin 1997.

Adam Boehler, i dërguari special i Presidentit Donald Trump për pengjet, udhëhoqi bisedimet e drejtpërdrejta me Hamasin, të cilat thuhet se u përqendruan në sigurimin e lirimit të pengjeve amerikane dhe eksplorimin e një fundi të mundshëm të luftës në Gazë pa Hamasin në pushtet.

Mes pengjeve që ende mbahen nga Hamasi, pesë janë shtetas amerikanë, përfshirë 21-vjeçarin Edan Alexander, i cili besohet të jetë pengu i fundit amerikano-izraelit ende i gjallë në Gazë.

Nëna e tij, Yael Alexander, foli kohët e fundit në ‘Sheshin e Pengjeve’ në Tel Aviv. “E vërteta e thjeshtë është se situata me pengjet bëhet çdo ditë e më urgjente”, tha ajo.

“Ata po punojnë për fazën e dytë. Ne nuk e shohim atë si një fazë, por si një mënyrë për të sjellë djalin tonë në shtëpi. Nuk ka rëndësi si e quani. Ajo që ka rëndësi është se ka një marrëveshje për të sjellë pengjet e mbetura në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo.

Këtë javë, zyrtarët izraelitë thanë se janë gati të ecin përpara me fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gazë, me kusht që Hamasi të pranojë të lirojë më shumë nga 59 pengjet që ende mban.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat