​Rubio: Nuk do ta lejojmë Grenlandën të bëhet vend i varur nga Kina

Amerika

​Rubio: Nuk do ta lejojmë Grenlandën të bëhet vend i varur nga Kina

Më: 4 prill 2025 Në ora: 20:32
Marco Rubio

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi sot se SHBA respekton vendimin e grenlandezëve për vetëvendosje, por paralajmëroi se nuk do të lejojë që rajoni autonom danez i pasur me burime të bëhet i varur nga Kina.

Rubio në një konferencë shtypi sot pas takimit me ministrat e Jashtëm të NATO-s në Bruksel, tha se Danimarka duhet të fokusohet në faktin se grenlandezët nuk duan të jenë pjesë e atij vendi.

"Danimarka duhet të fokusohet në faktin se grenlandezët nuk duan të jenë pjesë e Danimarkës. Ajo që ne nuk do të bëjmë është ta lëmë Kinën të hyjë tani dhe t'u ofrojë atyre një grumbull parash dhe të bëhemi të varur nga Kina," tha Rubio.

Kryeministri i ardhshëm i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha për televizionin danez TV2, se Marco Rubio “e ka gabim”.

"Ai nuk ka të drejtë që Grenlanda dëshiron të shpallë nesër pavarësinë. Ai ka të drejtë që Grenlanda nuk dëshiron të jetë daneze, por Grenlanda sigurisht nuk dëshiron të jetë amerikane. Ne po punojmë çdo ditë për të krijuar një themel që një ditë të jemi të pavarur, por nuk jemi ende aty. Ajo që thotë Rubio nuk qëndron", tha Nielsen.

Sondazhet tregojnë se një shumicë dërmuese e 57.000 banorëve të Grenlandës duan të bëhen të pavarur nga Danimarka, por nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e SHBA-së.

Gjatë një vizite në ishull javën e kaluar, zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance e bëri të qartë se Uashingtoni do të "respektonte vendimin e grenlandezëve. Vizita e tij u pa nga Danimarka e Grenlanda si një provokim.

Grenlanda është e pasur me burime natyrore, duke përfshirë mineralet e rralla shumë të çmuara.

Ishulli i madh ndodhet në verilindje të Kanadasë, i vendosur midis Oqeanit Arktik dhe Atlantikut. Është një tampon strategjik midis SHBA-së dhe Rusisë.

Retorika e fortë e Donald Trump ndaj Grenlandës shkaktoi qortime të mprehta si nga lidershipi i ishullit ashtu edhe nga kryeministrja danez Mette Frederiksen, e cila akuzoi Uashingtonin për "presion të papranueshëm".

Trump kishte thënë se "nuk heq asgjë nga tavolina," kur ishte pyetur kohë më parë nëse do të autorizonte përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin e Grenlandës. Por ai tha se ekziston "një mundësi e mirë që ne ta bëjmë atë pa forcë ushtarake".

JD Vance gjatë vizitës në Grenlandë tha se "Rusia, Kina dhe vendet e tjera po shfaqin interes të jashtëzakonshëm për kalimet e Arktikut, rrugët detare të Arktikut dhe mineralet e territoreve të Arktikut dhe duhet të sigurojnë që Amerika të udhëheqë në Arktik."

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat