Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi të hënën biseda telefonike me homologët e tij nga Pakistani dhe India, Ishaq Dar dhe Subrahmanyam Jaishankar, ku diskutuan për marrëdhëniet tregtare dhe tarifat "reciproke" të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Është e rrallë që një diplomat i lartë amerikan të zhvillojë biseda telefonike me homologët pakistanezë dhe indianë në të njëjtën ditë, raporton agjencia turke AA.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se Rubio falënderoi Dar për arrestimin dhe transferimin e terroristit të ISIS-K, Mohammad Sharifullah, në SHBA, si dhe diskutuan tarifat dhe mënyrat për të ecur përpara drejt një "marrëdhënieje tregtare të drejtë dhe të balancuar".
Administrata Trump vendosi një tarifë prej 29% ndaj Pakistanit dhe 26% ndaj Indisë javën e kaluar, ndërkohë që presidenti shpalli tarifa të gjera ndaj disa vendeve, duke tronditur tregjet globale.
Donald Trump tha se është i gatshëm të arrijë “marrëveshje të drejta” dhe se shumë vende kanë shprehur interesim për negociata.
Rubio gjithashtu “shtroi mundësinë e bashkëpunimit për mineralet kritike dhe shprehu interes për zgjerimin e mundësive tregtare për kompanitë amerikane”.
Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se Dar theksoi gjithashtu “përpjekjet e Islamabadit në luftimin e suksesshëm të terrorizmit gjatë viteve 2013-2018”, të cilat i shkaktuan Pakistanit “humbje të mëdha ekonomike dhe njerëzore”.
Dy diplomatët diskutuan gjithashtu situatën në Afganistan dhe Rubio “u pajtua për nevojën e zgjidhjes së çështjes së pajisjeve ushtarake amerikane të lëna pas në Afganistan”, thuhet më tej.
Ndërkohë, Rubio dhe Jaishankar diskutuan për tregtinë dhe tarifat, “konfirmuan forcën e partneritetit strategjik SHBA-Indi dhe shqyrtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në rajonin Indo-Paqësor”.
Nga ana e tij, Jaishankar tha se shkëmbyen edhe këndvështrime për Indo-Paqësorin, nënkontinentin indian, Evropën, Lindjen e Mesme, Azinë Perëndimore dhe Karaibet.
“U pajtuam për rëndësinë e përfundimit të hershëm të Marrëveshjes Bilaterale Tregtare,” shkroi ai në X.