Në rrjetin social X është shfaqur një video që tregon elementët kyç të arsenalit bërthamor amerikan, e cila është publikuar nga shefi i shtabit të Forcave Ajrore të SHBA-së, gjenerali David W. Allvin, me një mesazh të shkurtër, por të qartë “Nëse parandalimi dështon, ne do të veprojmë”.
Në mesazh paraqiten dy komponentë të “triadës bërthamore” amerikane: raketat balistike ndërkontinentale (ICBM) të vendosura në tokë dhe bombarduesit strategjikë të aftë për të mbajtur armë bërthamore. Komponenti i tretë – nëndetëset me armë bërthamore – nuk është paraqitur në video, por ajo përbën një pjesë thelbësore të strategjisë së parandalimit që Shtetet e Bashkuara e kanë ndjekur që nga periudha e Luftës së Ftohtë.
Videoja e Allvinit vjen në një kohë tensionesh globale në rritje, nga agresioni i vazhdueshëm i Rusisë ndaj Ukrainës, deri te shtimi i tensioneve me Kinën në rajonin Indo-Paqësor.
Po ashtu, kjo mund të shihet si një mesazh për Iranin, me të cilin SHBA po zhvillon negociata lidhur me programin e tij bërthamor – një program që Amerika e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë që Teherani ta zhvillojë.
Triada bërthamore është shtylla kryesore e strategjisë bërthamore të SHBA-së dhe përbëhet nga:
Raketa balistike ndërkontinentale (ICBM), të lëshuara nga silose të nëndheshme në territorin amerikan, me aftësinë për të goditur objektiva në anën tjetër të globit.
Bombardues strategjikë, si B-52 dhe B-2, që mund të mbajnë koka luftarake bërthamore dhe të arrijnë objektivat nga lokacione të ndryshme.
Nëndetëse me raketa balistike (SSBN), që operojnë në mënyrë të padukshme nën ujë dhe sigurojnë aftësi për një sulm të kundërt, edhe nëse pjesa tjetër e forcave është shkatërruar.
Kjo strukturë garanton që asnjë kundërshtar i mundshëm nuk mund ta neutralizojë plotësisht aftësinë e SHBA-së për të reaguar, madje edhe në rastin e një sulmi bërthamor të papritur.