Avioni dhuratë nga Katari, kritikohet Trump

Amerika

Avioni dhuratë nga Katari, kritikohet Trump

Më: 14 maj 2025 Në ora: 15:45
Foto ilustrim

Disa republikanë kanë shprehur shqetësime në lidhje me dëshirën e Presidentit Donald Trump për të pranuar një aeroplan prej 400 milionë Dollarësh nga Katari, duke vënë në dukje se një veprim i tillë mund të paraqiste një rrezik për sigurinë.

Trump tha se do të ishte “budallallëk” nga ana e tij të refuzonte ofertën e Katarit për Boeing 747-8, i cili do të përdorej si “Air Force One” i SHBA-së, avioni me të cilin udhëtojnë Presidentët amerikanë kur fluturojnë rreth globit.

“Boeing 747 po i jepet Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara/Departamentit të Mbrojtjes, JO MUA! Është një dhuratë nga Katari, të cilin e kemi mbrojtur me sukses për shumë vite. Do të përdoret nga qeveria jonë si një Air Force One i përkohshëm, derisa të mbërrijnë Boeing-ët tanë të rinj, të cilët janë shumë vonë për t’u dorëzuar. Pse ushtria jonë, dhe për këtë arsye taksapaguesit tanë, duhet të detyrohen të paguajnë qindra miliona dollarë kur mund t’i marrin FALAS nga një vend që dëshiron të na shpërblejë për një punë të bërë mirë. Vetëm një BUDALLA nuk do ta pranonte këtë dhuratë në emër të vendit tonë”, është shprehur Presidenti Trump.

Kryetari i Komitetit të Tregtisë së Senatit, Ted Cruz nga Teksasi, një republikan i cili ka qenë prej kohësh kritik ndaj politikës së jashtme të Katarit, ka deklaruar se kishte shqetësime në lidhje me një marrëveshje të tillë.

Udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer, kërkoi që Prokurori i Përgjithshëm duhet të dëshmojë para Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për të shpjeguar pse dhurata për Donald Trump nuk shkel Klauzolën e Shpërblimeve, e cila kufizon dhuratat që Presidentët amerikanë mund të pranojnë nga qeveritë e huaja. 

Aeroplani luksoz prej 400 milionë Dollarësh që do t’i dhurohet bibliotekës presidenciale të Trump, që mund ta lejojë atë ta përdorë edhe si qytetar, do të jetë një nga dhuratat më të vlefshme të marra ndonjëherë nga qeveria amerikane.

Lajmi shkaktoi kritika të menjëhershme edhe nga një sërë ekspertësh të politikës së jashtme të cilët paralajmëruan se kjo dhuratë e majme është në një konflikt interesi që mund të ndikojë në vendimet presidenciale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat