Studenti akuzoi SHBA-në për gjenocid në Gaza, Universiteti i New York-ut nuk do t’ia japë diplomën

Amerika

Studenti akuzoi SHBA-në për gjenocid në Gaza, Universiteti i New York-ut nuk do t’ia japë diplomën

Më: 17 maj 2025 Në ora: 11:08
Logan Rozos

Universiteti i New York (NYU) i mori diplomën studentit, Logan Rozos, pasi gjatë fjalimit me rastin e diplomimit akuzoi SHBA-në për mbështetje të “gjenocidit” në Gaza.

Rozos u tha të pranishmëve të mërkurën se dënon “tmerret që po ndodhin aktualisht në Palestinë”, duke shkaktuar brohoritje dhe duartrokitje.

Zëdhënësi i NYU-së akuzoi Rozosin për gënjeshtra lidhur me atë që kishte planifikuar të thoshte në fjalim, duke thënë se ai “shprehu pikëpamjet personale dhe të njëanshme politike”.

Zgjerimi i mbështetjes pro-palestineze në fakultete është bërë shumë i politizuar në SHBA, ndërsa administrata Trump lufton kundër asaj që e quajti antisemitizëm në institucionet elitare, duke shkaktuar debat të ashpër mbi lirinë e shprehjes.

NYU deklaroi se “denoncon fuqishëm” dhe “ndjen keqardhje të thellë” për komentet e Rozosit, duke shtuar se “ky moment u përdor keq nga dikush që keqpërdori privilegjin që i është dhënë”.

Zëdhënësi i kolegjit, John Beckman, tha se diploma e Rozosit do të mbahet pezull deri sa NYU të përfundojë procedurat disiplinore kundër tij.

Pas prezantimit në skenë, studenti tha se ndihej i detyruar të fliste.

“Gjenocidi që po ndodh aktualisht mbështetet politikisht dhe ushtarakisht nga Shtetet e Bashkuara, financohet me paratë tona tatimore dhe transmetohet drejtpërdrejt në telefonat tanë. Unë dënoj këtë gjenocid dhe përfshirjen në këtë gjenocid,” tha ai.

Studenti nuk përmendi Izraelin, i cili mohon fuqishëm akuzat për gjenocid në Gaza, as nuk përmendi popullin hebre.

Profili i fshirë më pas i Rozosit në faqen e NYU-së tregon se ai studionte kritikë kulturore dhe ekonomi politike në një shkollë të vogël të arteve liberale brenda kampusit.

NYU është një nga 10 universitetet që grupi punues i administratës Trump për antisemitizmin po i heton për incidente në kampus që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Gazës në tetor 2023.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat