Ushtria amerikane ka paralajmëruar mbajtjen e një parade të madhe më 14 qershor për të shënuar 250-vjetorin e themelimit të saj – por ngjarja tashmë ka marrë edhe ngarkesë politike për shkak se përkon me ditëlindjen e presidentit Donald Trump.
Sipas zyrtarëve të ushtrisë, në paradë do të marrin pjesë mbi 6,600 ushtarë, do të paraqiten rreth 150 automjete ushtarake, 50 helikopterë, si dhe do të ketë performanca nga shtatë banda ushtarake.
Zyrtarisht, ushtria ka deklaruar se parada është organizuar për të nderuar themelimin e saj më 1775. Por disa anëtarë të Kongresit kanë kritikuar organizimin, duke e cilësuar si “një paradë ditëlindjeje për Trumpin” dhe një “shpenzim të panevojshëm të parave të taksapaguesve”.
Ende mbetet e paqartë nëse Trump do të marrë pjesë në paradë, por mediat ndërkombëtare raportojnë se ai pritet të jetë pjesë e aktiviteteve ceremoniale dhe të administrojë betimin për disa rekrutë dhe ushtarë të rinj.
Trump e kishte propozuar një paradë të tillë ushtarake gjatë mandatit të tij të parë, por planet kishin dështuar për shkak të shqetësimeve për koston e lartë.