Duke i quajtur ato të paligjshme, tre gjyqtarët e Gjykatës së Tregtisë Ndërkombëtare të SHBA-së vendosën se ligji i përmendur nga presidenti për të vendosur tarifat nuk i jep atij autoritetin për ta bërë këtë. Zemërimi i Shtëpisë së Bardhë ishte i menjëhershëm, shkruan ANSA.
Fillimisht, zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, e quajti këtë një "grusht shteti gjyqësor të pakontrolluar", më pas një zëdhënës në Pennsylvania Avenue e dënoi vendimin. "Nuk u takon gjyqtarëve të paemëruar nga populli të vendosin si të trajtohet në mënyrë të përshtatshme një emergjencë kombëtare", tha ai. "Presidenti Trump është i përkushtuar për ta vënë Amerikën të parën, dhe administrata është e përkushtuar të përdorë çdo mjet të pushtetit ekzekutiv për të trajtuar këtë krizë dhe për ta rikthyer madhështinë e Amerikës”.
Administrata Trump tashmë ka njoftuar se do të apelojë për të përmbysur vendimin e tre gjyqtarëve – një i emëruar nga Barack Obama, një nga Ronald Reagan dhe një nga vetë Trump. Nuk përjashtohet mundësia që çështja të arrijë deri në Gjykatën e Lartë, duke ia lënë vendimin "burrave të urtë", me pasoja të gjera për ekonominë globale, transmeton KosovaPress.
Gjykata Amerikane e Tregtisë Ndërkombëtare, duke vendosur mbi dy çështje të ndara, lëshoi një vendim që hodhi poshtë tarifat e Trump-it në bazë të Aktit të Fuqive Ekonomike Ndërkombëtare për Emergjencat, një ligj i vitit 1977 që nuk ishte përdorur kurrë më parë për vendosje tarifash. “Në të dyja çështjet, pyetja para gjykatës ishte nëse ky ligj i vitit 1977 i jep presidentit autoritetin për të vendosur tarifa të pakufizuara mbi mallrat nga pothuajse çdo vend në botë”.
“Gjykata nuk e interpreton ligjin e vitit 1977 si një akt që i jep një autoritet të tillë të pakufizuar presidentit, dhe rrëzon tarifat e kontestuara të vendosura sipas tij”, thuhet në vendimin prej 50 faqesh që i dha hov tregjeve të Wall Street dhe dollarit amerikan. Për Trump-in, ajo që ka vendosur gjykata është një goditje e rëndë në një çështje – atë të tarifave – që është veçanërisht e rëndësishme për të dhe me të cilën nuk dëshiron të bëjë shaka.
I mësuar të vendosë nofka për të gjithë, Trump u irritua nga një koment i një gazetari të Financial Times, i cili e quajti atë "Taco Trade", një akronim për "Trump Always Chickens Out", domethënë “Trump gjithmonë tërhiqet”, duke iu referuar tërheqjeve të tij pas njoftimeve për tarifa. Kur u pyet për një koment, Trump e mbylli shkurt: “quhen negociata”.