Një nga figurat kryesore të Demokratëve në Kongresin amerikan i bëri thirrje të enjten presidentit Donald Trump që të publikojë emrat e personave që morën pjesë në një darkë private pasi kishin blerë kriptomonedhën e tij.
Duke thënë se amerikanët meritojnë të dinë kush po paguan miliona për t’u afruar me presidentin, përfaqësuesi Jamie Raskin shkroi në një letër: “Shkruaj sot për të kërkuar që të publikoni emrat e të gjithë pjesëmarrësve në këtë darkë dhe të jepni informacion mbi burimin e parave që secili ka përdorur për të blerë monedhat $TRUMP, në mënyrë që të parandalojmë që pagesat e paligjshme nga qeveritë e huaja të përfundojnë në xhepat tuaj pa miratimin e Kongresit”.
“Këta 220 blerës… kanë shpenzuar së bashku qindra miliona dollarë - 394 milionë dollarë sipas një burimi”, tha Raskin, duke theksuar se “ne meritojmë të dimë kush po paguan për të pasur qasje te presidenti ynë.”
Raskin tha se shumica e të ftuarve duken të jenë shtetas të huaj dhe shumë prej tyre nuk kishin blerë më parë këtë monedhë, përpara se të shpallej darka.
“Publikimi i kësaj liste do t’u tregojë gjithashtu amerikanëve… se çfarë - përveç memecoins-ve pothuajse të pavlefshme - po marrin në këmbim të gjithë këtyre parave”, shkroi ai.
Ai gjithashtu ngriti shqetësime se disa nga fondet e përdorura mund të vijnë nga burime të paligjshme ose nga qeveri të huaja.
“Për secilin të ftuar, ju lutem jepni të gjithë informacionin që keni mbledhur mbi burimin e fondeve të përdorura për të blerë monedhat $TRUMP”, tha Raskin, duke vendosur një afat deri më 4 qershor.
Ndër blerësit kryesorë ishte investitori kinez i kriptove Justin Sun, i cili ka shpenzuar 23 milionë dollarë dhe kishte qenë nën hetim nga Komisioni Amerikan për Letrat me Vlerë (SEC) përpara se të investonte në një firmë kriptomonedhash të lidhur me Trump.