Shefi ekzekutiv i Intel, Lip-Bu Tan ka reguar ndaj “keqinformimit” për karrierën e tij pasi Donald Trump e akuzoi se ishte “tepër problematik” dhe duhej të dorëhiqej.
Në një letër për stafin, të publikuar të enjten, Tan tha se Intel “po angazhohej” me administratën Trump për ”t’iu adresuar çështjeve që janë ngritur dhe të sigurohen që kanë fakte”, raporton Financial Times.
“Ka pasur shumë keqinformim që qarkullon për pozicionet e mia të dikurshme… Dua të jem absolutisht i qartë: Përgjatë më shumë se 40 viteve në industri, kam ndërtuar marrëdhënie në botë dhe në ekosistemin tonë të larmishëm dhe kam vepruar gjithnjë me standardet më të larta ligjore dhe etike”, shkroi Tan.
Deklarata e tij kundrejt kompanisë së vetme në SHBA që mund të prodhojë çipe të avancuar, erdhi vetëm pak orë pasi Trump kërkoi dorëheqjen e Tan në një postim në Truth Social.
Trump nuk dha hollësi për konfliktet e interesit ku akuzon Tan, por postimi u bë pas një letre nga Tom Cotton, drejtuesi i komitetit të senatit të inteligjencës, drejtuar Intel ku shprehte “shqetësim për sigurinë dhe integritetin e operacioneve të Intel” dhe lidhjet e shefit ekzekutiv me Kinën.
Tan është një investitor i nivelit të lartë në kompanitë kineze të teknologjisë përmes firmës së tij në San Francisko dhe Hong Kong. Investime të tij në të kaluarën kanë përfshirë prodhuesin më të madh të çipeve në Kinë, Semiconductor Manufacturing International Corp.
Përpara se të caktohej në krye të Intel këtë vit, ai drejtonte Cadence Design Systems në Kaliforni që javën e shkuar pranoi se kishte shkelur kontrollin amerikan të eksportit duke shitur mjetet e dizenjimit të çipeve kundrejt një universiteti kinez me lidhje të afërta me ushtrinë.
Nga momenti i marrjes së detyrës, Tan nisi një program për shkurtimin e kostove dhe muajin e shkuar paralajmëroi se Intel mund t’i duhet ta braktisë zhvillimin e teknologjisë së avancuar të prodhimit nëse nuk siguron klientë të mëdhenj.