Lëvizja Liria Përparon (LLA), partia e Javier Mileit, fitoi zgjedhjet e mesmandatit në Argjentinë me 40.84% të votave, duke fituar terren në provincën e Buenos Airesit, bastion tradicional i peronistëve progresistë që një muaj më parë kishin mundur konservatorët.
“Sot është një ditë historike. Populli ka zgjedhur lirinë dhe po lëmë pas njëqind vjet dekadence. Fillon ndërtimi i një Argjentine të madhe”, tha Milei, duke premtuar konsolidimin e reformave dhe një parlament “më reformist se kurrë”, me 101 deputetë dhe 20 senatorë.
Pjesëmarrja prej 67.85% ishte më e ulëta që nga viti 1983, çka shqetësoi liderin ultraliberal. Megjithatë, rezultati i dha LLA-së shumicën e provincave dhe një fitore të thellë ndaj koalicionit të majtë Fuerza Patria (FP), ndryshe nga sondazhet që parashikonin garë të ngushtë.
Fitorja pritet të ndikojë pozitivisht në tregjet financiare, ndërsa SHBA e Donald Trump-it e përshëndeti menjëherë, duke premtuar një ndihmë prej 40 miliardë dollarësh për të mbështetur peson argjentinas.
Pas fitores presidenciale të vitit 2023, Milei hyri në këto zgjedhje me mbështetje të ulur për shkak të politikave të rrepta që ulën inflacionin nga 200% në 31%, por shkaktuan shkurtime në arsimin dhe shëndetësinë publike. Rënia e popullaritetit u ndikua edhe nga disa skandale financiare dhe hetime për korrupsion ndaj bashkëpunëtorëve të tij.
Në fund të fushatës, Milei akuzoi peronistët për përpjekje për rrëzim të qeverisë dhe paralajmëroi për rrezikun e rikthimit të “komunizmit Castro-Chavista”. Ndërkohë, opozita e majtë FP, e dobësuar nga mungesa e Cristina Kirchner-it, u mbështet te guvernatori Axel Kicillof për të ruajtur ndikimin në Buenos Aires.
Presidenti amerikan Donald Trump e uroi Milein: “Urime Presidentit Javier Milei për fitoren e tij dërrmuese. Ai po bën një punë të jashtëzakonshme”, shkroi ai në rrjetin e tij Truth.