Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa mbërriti sot në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me homologun amerikan Donald Trump, në atë që shënon vizitën e parë të një lideri sirian që kur Siria fitoi pavarësinë 79 vjet më parë, raporton KosovaPress.
Takimi midis dy presidentëve pritet të përqendrohet në heqjen e sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja gjatë sundimit të regjimit të Assad që shkatërruan ekonominë siriane, përpjekjet për ta futur zyrtarisht Damaskun në koalicionin anti-ISIS dhe bisedimet e mundshme për normalizimin me Izraelin - një nga qëllimet e deklaruara të Trump.
Administrata Trump ka ndërmarrë një sërë masash për të lehtësuar presionin diplomatik dhe ekonomik mbi Sirinë dhe udhëheqësin e saj, ndërsa vendi hyn në një kapitull të ri në historinë e tij pas mbi 13 vjetësh lufte civile brutale, duke përfshirë heqjen e disa sanksioneve.
Trump filloi procesin e heqjes së sanksioneve ndaj Sirisë pas një takimi me Sharaa në maj në Arabinë Saudite. Pas atij takimi, presidenti amerikan e përshkroi homologun e tij sirian si një "djalë të ri, tërheqës, të ashpër, me të kaluar të fortë", duke sinjalizuar një largim dramatik nga dekadat e armiqësisë që kishin përcaktuar marrëdhëniet SHBA-Siri nën sundimin e Assad.
Emisari special amerikan për Sirinë dhe ambasadori në Turqi, Tom Barrack, tha javën e kaluar në Bahrejn, se Sharaa pritet të nënshkruajë një dokument me Trump që Siria t'i bashkohet koalicionit anti-ISIS.